Sport

“Më të mirët e 2022”-it! FSHF, mbrëmje gala për protagonistët e futbollit shqiptar…

Një çmim i veçantë do të jepet për ekipin e Vllaznisë së vajzave, që u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League.

24 Janar 2023, 20:26 Nga DOSJA
“Më të mirët e 2022”-it! FSHF, mbrëmje gala

TIRANE - Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë më 27 janar mbrëmjen gala, që i dedikohet protagonistëve kryesorë të futbollit, të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre në fushën e lojës gjatë vitit 2022.

Në këtë mbrëmje do të ndahen edhe çmime të rëndësishme për futbollin e djemve dhe atë të vajzave, si dhe do të vlerësohet kushdo që ka dhuruar emocione të mëdha në vitin që lamë pas.

Fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar, pas një procesi të gjatë e transparent të udhëhequr nga FSHF. Një çmim i veçantë do të jepet për ekipin e Vllaznisë së vajzave, që arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League dhe duke luajtur me klubet më të mëdha të Europës.

Në këtë mbrëmje festive, ku nuk do të mungojë edhe programi artistik, do të jetë i ftuar special Kryeministri Edi Rama, personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit dhe kolegë e miq të federatave të tjera.

Gjithashtu, do të ripërshkruhen momentet magjike dhe arritjet e jashtëzakonshme që arriti futbolli shqiptar në vitin 2022, që nga finalja e parë europiane dhe historike e UEFA Conference League, e mbajtur në Tiranë e deri te projektet më të rëndësishme të FSHF-së siç ishte “Uniforma Ime”.

Sakaq, FSHF bën me dije se mbrëmja gala “Më të mirët e 2022” në fakt do të kthehet do të jetë një traditë e përvitshme e Federatës, si një moment vlerësimi e nderimi për ata që kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushë përgjatë 365 ditëve të një viti, njofton zyra e shtypit në FSHF.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll