Politike

Takimi i Ramës me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Shkupi: Platformë për interesat e Ahmetit!

Nga partia e Mickoskit e vendosin theksin te Ahmeti si shfrytëzues i kësaj mundësie, duke thënë që do të mësojë Ramën për axhendën e gjelbër ose do të ketë një platformë të dytë tiranase.

9 Janar 2023, 21:48 Nga F.M
Takimi i Ramës me liderët e partive politike shqiptare të
Edi Rama dhe politikanët e Maqedonisë së Veriut

MAQEDONI E VERIUT- Tema dhe arsyeja e takimit të thirrur për ditën e nesërme në Tiranë, nga kryeministri Shqiptar Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare, mbetet një mister. Alsat shkruan se nga kabineti i Ramës nuk sqarojnë axhendën e këtij takimi dhe arsyen e thirrjes së përfaqësuesve të partive të Maqedonisë së Veriut, në këtë moment. Sipas Alsat, VMRO-DPMNE-ja nuk i fsheh dyshimet për takimin e liderëve me Ramën në Tiranë. Nga partia e Mickoskit e vendosin theksin te Ahmeti si shfrytëzues i kësaj mundësie, duke thënë që do të mësojë Ramën për axhendën e gjelbër ose do të ketë një platformë të dytë tiranase.

“Është interesante se si vetëm LSDM-ja nuk ka asgjë kundër këtij takimi ku për çështjet maqedonase koordinohen në Tiranë. Aliu, siç duket, do ta mësojë Tiranën për agjendën e gjelbër ose Tiranë do të përgatisë një platformë të dytë tiranase të cilën më pas Aliu do ja japë Kovaçevskit? Marrëveshja e vetme që mund të dalë është bashkimi kundër krimit dhe marrëveshje për zgjedhje që populli të mund të vendosë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

LSDM-ja nuk e sheh takimin si problematik por në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian.

“Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë dhe i popullit maqedonas, Shqipëria është vendi ynë mik me të cilin ecim së bashku në rrugën evropiane dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi bashkë në aleancën e NATO-s, nuk kemi çështje të hapura dhe bashkëpunimi ekonomik është në nivelin më të lartë përmes nismës Ballkani i Hapur. Çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të dy vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”, thonë nga LSDM.

Deputeti Skender Rexhepi kujton takimin e gjashtë viteve më parë të cilin thotë se Rama e kishte bërë në cilësinë e “zëdhënësit të BDI-së”, për interesa partiake të partisë së Ahmetit.

“Edhe produkti i atij takimi “platforma shqiptare” ishte dhe mbetet vetëm farsë, pasi që në asnjë cikël të ardhshëm zgjedhor, e njëjta nuk ishte në tavolinë të përbashkët të partive politike shqiptare, e që nuk është as sot para procesit të ndryshimeve kushtetuese. Andaj, është shumë e qartë që Edi Rama nuk ka legjitimitet të mbledh partitë shqiptare për çështjet që i tangojnë shqiptarët këtu në Maqedoni, kjo pasi që, edhe prapa takimit të nesërm, do të rezultojë ndonjë truk i radhës që “do t’ia dëgjojmë zërin nesër””, tha Skender Rexhepi, deputet i pavarur.

Liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut do të ulen në një tryezë në Tiranë. Takimi pritet të mbahet të martën në mbrëmje. Takimi i kryeministrit Edi Rama vjen në një moment kyç për Maqedoninë e Veriut, pasi në Parlament duhet të votohen ndryshimet kushtetuese. Sigurimi i votave për ndryshimet kushtetuese pritet të jetë sfida e këtij viti për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në.

edi rama maqedonia e veriut

Sondazh

Poll