Bota

"Barrikadat u vunë nga grupet kriminale", Daçiç i përgjigjet Xhaçkës: Po nxisni Kurtin për provokime të reja

Ministrja shqiptare tha dje se barrikadat nuk u vunë në veri nga populli i thjeshtë serb por nga grupet kriminale.

28 Dhjetor 2022, 10:32 Nga f.g
"Barrikadat u vunë nga grupet kriminale", Daçiç i
Ivica Daçiç

BEOGRAD- Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç i ka kthyer përgjigje ministres së Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, që dënoi dje në një reagim zyrtar tensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe kërcënimet nga Serbia. Ministrja shqiptare tha dje se barrikadat nuk u vunë në veri nga populli i thjeshtë serb por nga grupet kriminale. Kjo deklaratë për qeverinë serbe është nxitje për Kurtin. Daçiç ka thënë se Xhaçka duhet ti kujtonte atij detyrimet për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit ndërsa thekson se me këto deklarata, ministrja shqiptare po e nxit kryeministrin e Kosovës për provokime të reja.

“Ajo nuk ia ka kujtuar Kurtit se ka detyrim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet relevante, si dhe obligim për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e të mos dërgojë njësite shqiptare të armatosura në veri dhe të mos arrestojë serbë vetëm se janë serbë. Në vend që ta paralajmërojë që të mos e kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon, ministrja shqiptare e inkurajon atë për provokime të mëtejshme. Prandaj ajo dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë,"-ka thënë Daçiq për “Tanjug”.

Por çfarë tha dje ministrja shqiptare? MPEJ reagoi dje për krizën në veri të Kosovës dhe theksoi se qeveria shqiptare është me Kosovën në çdo situatë. 

Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallezimi i tensioneve. Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate. Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë. Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikatat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin  është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë.”- shkroi Xhaçka.

Deklaratat vijnë pas një përshkallëzimi të situatës në veri të Kosovës ku prej 19 ditësh, serbët kanë vendosur barrikada në pikën kufitare të Merdarës që vazhdon të jetë e mbyllur. Dje grupet serbe sulmuan emigrantët që ktheheshin nga Kosova për festat e fundvitit me bomba zhurmuese. Tensionet vazhdojnë me thirrje nga ndërkombëtarët për qetësi ndërsa liderët në Prishtinë dhe Beograd ende nuk kanë gjetur një dakordësi./Dosja.al

ivica daçiç olta xhaçka tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll