Politike

Berisha pret në zyrë përfaqësues të demokristianëve të Kosovës dhe Shqipërisë: Biseduam për rrezikun e politikave nacionaliste të Vuçiç

Berisha shkruan se iu ka rikujtuar miqve nga Kosova se Partia Demokratike mbështet planin frank-gjerman si projekt real për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

22 Dhjetor 2022, 11:35 Nga a.l
Berisha pret në zyrë përfaqësues të
Takim me përfaqësues të demokristianëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

TIRANË- Kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim në zyrën e tij me përfaqësues të demokristianëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Kreu i opozitës tregon se në fokus të bisedimeve mes tyre ishte situata e tensionuar në veri të Kosovës. Përmes një postimi në rrjete sociale, Berisha shkruan se iu ka rikujtuar miqve nga Kosova se Partia Demokratike mbështet planin frank-gjerman si projekt real për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në takimin mes tyre është folur edhe mbi rrezikun që politikat nacionaliste të presidentit Serb përfaqësojnë për stabilitetin e Kosovës por dhe të rajonit në tërësi. 

POSTIMI: 

Takim me përfaqësues të demokristianëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Miq, ishte një kënaqësi të prisja dje në një takim të përbashkët, përfaqësues të dy partive Demokristiane të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Që në fillesat e saj, PSHDK ka qënë një forcë e cila i ka shërbyer interesit kombëtar dhe një aleate e vyer e Partisë Demokratike.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës përfaqësohej nga Z. Zef Morina, Kryetar i saj, si dhe nga Z. Anton Shala Zv/Kryetar e Z. Ardian Nikollbibaj.

Ndërkohë Partia Demokristiane e Shqipërisë parti aleate e Partisë Demokratike përfaqësohej nga Z. Nard Ndoka, Kryetar i saj, Z. Vladimir Prenga, Sekretar i Përgjithshëm i Senatit Demokristian dhe nga Z. Franz Gjeluci, Zv/Kryetar.

Në këtë takim biseduam gjerësisht mbi rrezikun që politikat nacionaliste të Aleksandër Vuçiçit përfaqësojnë për stabilitetin e Kosovës por dhe të rajonit në tërësi. Në këtë drejtim, avokatia që Edi Rama i bën mos-zbatimit të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë nga ana e Beogradit, elozhet ndaj ish-Jugosllavisë, apo lobimet e tij ndërkombëtare per padronin e tij Vuçiç shihen si një shërbim që dëshmon kapjen e tij dhe që nuk i përkon kurrsesi interesave të kombit shqiptar.

Iu rikujtova miqve nga Kosova se Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet planin franko-gjerman si një projekt real për normalizimin marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, çka duhet të përmbyllet me një njohje reciproke mes dy shteteve.

Ndërkohë që përfaqësuesit e PSHDK-së e shihnin ende rrugën e Kombit si një dhuratë tejet të çmuar për Kosovën, u sigurova atyre që PD mbështes dialogun si rrugën e zgjedhjes të problemeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të mbetet gjithmonë një mbështetëse pa kushte e interesave kombëtare dhe të pacënueshmërisë së territorit të Kosovës, duke luftuar çdo tentative për copëzim e ndryshim kufinjsh.

Sot është dita e 13-të e tensioneve në Veri të Kosovës, ku janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll