Bota

'Provokimet duhet të ndalen'/ Admirali i NATO-s pas takimit me Vuçiç: KFOR-i po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës

Munsch u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në Kosovë që të jenë afër koordinimit me KFOR-in dhe të përmbahen nga veprimet provokuese dhe demonstrimi i forcës.

20 Dhjetor 2022, 12:20 Nga a.l
'Provokimet duhet të ndalen'/ Admirali i NATO-s pas takimit me
Aleksandër Vuçiç

SERBI- Komandanti i forcave të NATO-s në Evropën Jugore, Admirali Stuart Munsch në takimin që zhvilloi sot në Beograd me presidentin serb Aleksandër Vuçiç u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në Kosovë që të jenë afër koordinimit me KFOR-in dhe të përmbahen nga veprimet provokuese dhe demonstrimi i forcës. 

Sipas tij, më shumë se 3700 pjesëtarë të KFOR-it nga 27 vende vazhdojnë të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

"KFOR-i po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës. Që nga tetori, ne kemi shtuar praninë tonë duke shtuar forcat, si dhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë konstruktive, për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”,  tha Munsch, duke theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij dhe duke vlerësuar se zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut.

Mediat vendase shkruajnë se, lidhur me ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Munsch tha se NATO i bëri thirrje Moskës të luajë një rol konstruktiv në rajon.

"Për fat të keq, ne rregullisht jemi dëshmitarë se Moska bën të kundërtën. Aktivitetet e hakerëve, dezinformimi, frikësimi dhe aktivitete të tjera destabilizuese janë të dukshme," vuri në dukje Munsch.

Ai tha se vitin e kaluar Rusia dhe Kina vepruan së bashku në OKB për të minuar qëllimet e bashkësisë ndërkombëtare për të zgjeruar misionin e Bashkimit Evropian Althea në Bosnje dhe Hercegovinë. Ky, shton ai, është vetëm një shembull tjetër i ndikimit gjithnjë e më të dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në perëndim të Ballkanit. Duke deklaruar se NATO respekton plotësisht të drejtën sovrane të secilit vend për të zgjedhur marrëveshjet e veta politike dhe të sigurisë, Munsch tha: Ne i bëjmë thirrje Rusisë të bëjë të njëjtën gjë. Është një parim bazë i sigurisë evropiane, për të cilin ne të gjithë jemi angazhuar, përfshirë Rusinë.

Lidhur me refuzimin e Beogradit për të vendosur sanksione kundër Moskës, Munsch deklaroi se nuk do të komentonte vendimet politike të Serbisë, por se NATO mirëpret mbështetjen e saj për dy rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Munsch vlerësoi se presidenti rus Vladimir Putin bëri gabime të mëdha strategjike, duke nënvlerësuar vendosmërinë e popullit ukrainas për të mbrojtur vendin, shtëpitë dhe familjet e tyre, si dhe unitetin e NATO-s dhe partnerëve të saj të Aleancës.

tensione në veri të kosovës stuart munsch aleksandër vuçiç

Sondazh

Poll