Politike

'Akte banditeske'/ Berisha: Rama e konsideron Bendon spiun të amerikanëve, gjermanëve dhe francezëve

Berisha tha se Bendo ka një emërtesë kushtetuese pasi emërohet nga Presidenti dhe kryeministri nuk mund të ndërhyjë për ta shkarkuar. 

16 Dhjetor 2022, 12:32 Nga f.g
'Akte banditeske'/ Berisha: Rama e konsideron Bendon spiun të
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka bërë një akt banditesk duke mos lejuar që Helidon Bendo të marrë detyrën me pretekstin se është spiun i shërbimeve partnere. Deklarata u bë nga Berisha në komunikimin e përjavshëm me gazetarët. Berisha tha se Bendo ka një emërtesë kushtetuese pasi emërohet nga Presidenti dhe kryeministri nuk mund të ndërhyjë për ta shkarkuar. 

"Ju mund të merrni deklaratat e mia për Bendon, asnjë konsideratë të veçantë nuk kam shprehur, përkundrazi kam shprehur të gjithë rezervat e mia. Por a mund të pranohet një akt banditesk, një akt banditesk. Nëse Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve, sepse për aq kohë sa Helidon Bendo ka kryer atë detyrë, ka drejtuar një institucion kushtetues. Është një emërtesë kushtetuese. Emërohet nga kreu i shtetit dhe nuk ka askush të drejtë, pa pëlqimin e kreut të shtetit, me shkrim, as ta pezullojë, as ta shkarkojë.
Këto janë akte banditeske, akte të turpshme. Dënoj me ashpërsinë më të madhe.",-tha Berisha. 

Më tej, Berisha shpjegoi se Rama e ka shkelur ligjin me emërimin e Olion Kanushit, që sipas tij nuk ka asnjë eksperiencë të bashkëpunimit me shërbimet partnere. 

"Unë ju kam informuar që Kanushi që ka dërguar Edi Rama nga enturazhi i tij më i ngushtë, nuk ka punuar një ditë të vetme. Nuk ka qenë as informator. Dhe merr shërbimin si një militant i verbër. Me dy porosi, e para që do lartësohesh në detyrë nëse nuk komunikon me partnerët. Është absolutisht e vërtetë kjo. Nuk ka ndodhur kurrë, një porosi e tillë nuk është dhënë kurrë. Pa komunikim me partnerët, shërbimi është larg çdo mundësie për të përmbushur objektivat e tij për sigurinë kombëtare. Shërbimi informativ nuk ka fuqi imponimi të ligjit. Është thjesht mbledhës informacioni, sepse të atillë e ka përcaktuar ligjvënësi. Edi Rama u kërkon që çdo bashkëpunim me shërbimet partnere, të kalojë direkt nga Edi Rama.
Po sikur të na e çojë në Beograd këtë bashkëpunim Edi Rama?"-tha Berisha.

Berisha denoncoi sot se Helidon Bendo nuk lejohet të marrë detyrën edhe pse është emëruar nga presidenti si drejtues i SHISH./Dosja.al

sali berisha 16 dhjetor 2022 sali berisha edi rama helidon bendo

Sondazh

Poll