Aktualitet

Artan Hoxha komenton deklaratën e papritur të MEPJ për Yuri Kim: Mes ambasadores dhe Ramës ka diçka që 'kërcet'

Hoxha deklaroi se me deklaratën e MEPJ, qeveria ka dashur të japë një mesazh. 

12 Dhjetor 2022, 23:06 Nga F.M
Artan Hoxha komenton deklaratën e papritur të MEPJ për Yuri Kim:
Artan Hoxha

TIRANË- Artan Hoxha thotë se deklarata e pazakontë e MEPJ, se ka nisur procedura për zëvendësimin e ambasadores Yuri Kim, tregon se ka diçka që nuk shkon mes Kim dhe Edi Ramës. I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Hoxha deklaroi se me deklaratën e MEPJ, qeveria ka dashur të japë një mesazh. 

"Gjatë qeverisjes së Ramës janë ndryshaur tre ambasadorë. Nuk kemi parë asnjëherë që qeveria të bëjë këtë që bëri. Nuk ka njoftuar ndonjëherë MEPJ. Përse duhet të njoftojë MEPJ?Çfarë e shqetëson ministrinë tonë? Ka plot forma të tjera, kur qeveria di të luajë dhe e dimë sa e fortë është qeveria në lojën mediatike. Mund ta ngrinte në një nga mediat. Fakti që është reaguar me qëndrim zyrtar, do të thotë që qeveria ka dashur të japë një mesazh. Këtë mesazh do t’ja cojë dikush në vesh. Pse është kaq e interesuar qeveria? Ne sot pamë dy veprime. Mediat sot ishin live te prezantim i projektit të Portit Tregtar në Durrës. Aty nuk ishte Yuri Kim. Rama e la nga fundi dhe tha ka ardhur edhe zv.ambasadori amerikan. Pasdite u bë takimi i Ramës me Yuri Kim. Pra, nuk mund ta fsheshim që midis kryeministrit dhe ambasadores Kim, të cilës i mbaron mandati, ka diçka që kërcet. Nëpërmjet atij reagimi kryeministri u mundua të çojë një mesazh në favor të tij", tha Hoxha. 

Takimi mes tyre vjen vetëm 4 ditë pasi Ministria e Jashtme njoftoi se ka nisur procedura për zëvendësimin e Kim. Në mënyrë të pakërkuar, MPEJ mori një kompetencë që e ka vetëm Departamenti i Shtetit. Në media flitet për një përplasje mes Kim dhe qeverisë për kreun e ri të SPAK, por deri më tani ky është një version i pakonfirmuar. Palët ende nuk kanë reaguar për arsyet pse në rastin e Kim, qeveria shqiptare vendosi ta përcjellë "vetë".

artan hoxha yuri kim edi rama

Sondazh

Poll