Sport

"Katar 2022"/ Belgjika vuan por fiton ndaj Kanadasë...

Dita e parë e ndeshjeve të Grupit F të Botërorit Katar 2022. Skuadra e Martinez i falet golit të Batshuayit dhe mund Kanadanë dominuese

23 Nëntor 2022, 22:15 Nga DOSJA
"Katar 2022"/ Belgjika vuan por fiton ndaj Kanadasë...
Pamje nga ndeshja

KATAR - Belgjika vuan, por arrin të mposhtë Kanadanë në ndeshjen e saj të parë në Grupin F në Botërorin e Katarit. 1-0 ishte rezultati i ndeshjes në favor të 'Red Devils' që u mjaftuan vetëm me golin e Batshuayit, në një sfidë ndaj një Kanadaje që luajti shumë mirë, por që i mungoi saktësia në momentet vendimtare.

Që ndeshja nuk do të ishte e lehtë për Belgjikën, kjo u pa që në minutat e para. Kanadaja që kthehej në fazën finale të një kupe bote pas 36 vitesh, nuk u shfaq aspak inferiore ndaj skuadrës së Roberto Martinez, që e bazon lojën e saj kryesisht te talenti i De Bruyne. Dhe në fakt ishte skuadra amerikano-veriore ajo që në minutën e 11-të pati shansin e artë për të kaluar në avantazh me një 11 metërsh të ekzekutuar nga ylli i kësaj skuadre, Alphonso Davies.

Por talenti kanadez u hipnotizua nga Courtois, që e priti gjuajtjen e tij. Kanadaja edhe pas këtij momenti vijoi të prodhojë lojë, por golin e gjeti Belgjika me Batshuayi pas një asisti të Alderweiereld. Kanadaja vazhdoi të prodhojë lojë në fushën e lojës por nuk ishte konkrete teksa nga 22 tentativat e saj 3 përfunduan në kuadratin e portës, ndërkohë që kishte dhe ankesat e saj për arbitrimin teksa nuk iu akorduan 2 penallti. Nga ana e saj Begjika, diti të rezistojë për të marrë 3 pikët e kësaj ndeshjeje.

Por duhet thënë se paraqitja e kësaj skuadre në këtë ndeshje la shumë për të dëshiruar dhe nëse do të përsëritet edhe në sfidat e tjera, 'Red Devils' nuk do të shkojnë shumë larg në këtë botëror dhe ndaj skuadrës së Herdman, gjërat mund të kishin shkuar siç i ndodhi Argjentinës dhe Gjermanisë.

Gjithsesi për momentin, Belgjika e sheh veten në krye të Grupit F me 3 pikë, e ndjekur nga Kroacia e Maroku me 1 pikë dhe në fund është Kanadaja me 0 pikë, por që meritonte më shumë.

B.T (Dosja.al)

ndeshja belgjike-kanada

Sondazh

Poll