Bota

BE bën sërish thirrje: Kosova dhe Serbia ta bëjnë hapin historik

Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme, Peter Stano ka konfirmuar se kanë marrë tashmë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman dhe të njejtat janë duke studiuar, ndërsa ka bërë thirrje që dy vendet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

10 Nëntor 2022, 10:20 Nga I.A
BE bën sërish thirrje: Kosova dhe Serbia ta bëjnë hapin
Peter Stano

BRUKSEL- Bashkimi Evropian ka përsëritur edhe një herë thirrjen për ulje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia ta bëjnë hapin historik për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve, duke ju referuar planit franko-gjerman. Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme, Peter Stano ka konfirmuar se kanë marrë tashmë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman dhe të njejtat janë duke studiuar, ndërsa ka bërë thirrje që dy vendet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Ne duhet të kapërcejmë gjendjen e përhershme të krizës dhe të ulim tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Tashmë kemi marrë përgjigjet nga të dyja palët dhe jemi duke i studiuar. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë një hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kyçe për të përparuar në rrugën e tyre evropiane”, tha Stano.

ÇFARË PO NDODH NË VERI TË KOSOVËS?

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar pasi Qeveria nisi të zbatojë planin me 3 faza për regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në Republikën e Kosovës. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe. Këto targa i lëshon Serbia dhe kanë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera. Mirëpo, ky regjistrim është shoqëruar me incidente në veri të Kosovës. Serbët që po ri regjistrojnë makinat në RKS, po u digjen makinat.  Lista Serbe paralajmëroi se do të tërhiqej nga të gjithë institucionet në veri. Të shtunën ishin efektivët serbë në Policinë e Kosovës në Mitrovicë ata që dorëzuan detyrën dhe në shenjë simbolike hoqën uniformat. Sot ata dorëzuan armët pranë Rajonit të Policisë në Zveçan ndërsa Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga marrëveshja për targat, ndërkohë që SHBA dhe BE kanë mbërë thirrje për maturi duke dënuar veprimet e Serbisë në Veri.

peter stano tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll