Bota

Takimi me Kurtin, Abdixhiku: Nuk dëgjuam plan konkret për të dalë nga situata

Ai shtoi se koordinimi me aleatët ndërkombëtar në Uashington dhe Bruksel është zgjidhja e vetme për situatën aktuale.

8 Nëntor 2022, 09:46 Nga I.A
Takimi me Kurtin,  Abdixhiku: Nuk dëgjuam plan konkret për të
Lumir Abdixhiku

KOSOVË- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nuk dëgjuan plan konkret nga ana e kryeministrit për të dalë nga situata e krijuar.

“Nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike që kryeministri i ka pas, e gjithashtu nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të vendit. E gjithashtu nuk pamë as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtar”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se koordinimi me aleatët ndërkombëtar në Uashington dhe Bruksel është zgjidhja e vetme për situatën aktuale.

“Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASH, me institucionet e sigurisë amerikane aleatët në Uashington dhe  Bruksel është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd”, u shpreh Abdixhiku.

Po ashtu ai shtoi se Qeveria do ta ketë përkrahjen e këtij subjekti për aq kohë sa ka plan konkret për çështjen e sigurisë në vend, dhe ka koordinim të plotë me aleatët.

“Është jetike që Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Një Qeveri që i kërkon popullit të zgjedh mes aleatëve dhe ligjshmërisë ka bërë gabim. Ne kërkojmë që kjo Qeveri të siguroj edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet”, tha Abdixhiku.

ÇFARË PO NDODH NË VERI TË KOSOVËS?

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar pasi Qeveria nisi të zbatojë planin me 3 faza për regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në Republikën e Kosovës. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe. Këto targa i lëshon Serbia dhe kanë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera. Mirëpo, ky regjistrim është shoqëruar me incidente në veri të Kosovës. Serbët që po ri regjistrojnë makinat në RKS, po u digjen makinat.  Lista Serbe paralajmëroi se do të tërhiqej nga të gjithë institucionet në veri. Të shtunën ishin efektivët serbë në Policinë e Kosovës në Mitrovicë ata që dorëzuan detyrën dhe në shenjë simbolike hoqën uniformat. Sot ata dorëzuan armët pranë Rajonit të Policisë në Zveçan ndërsa Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga marrëveshja për targat, ndërkohë që SHBA dhe BE kanë mbërë thirrje për maturi duke dënuar veprimet e Serbisë në Veri.

lumir abdixhiku albin kurti tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll