Politike

Fond 56.8 mln dollarë për aksin ‘Qukës-Qafë Plloce’/ Qeveria: Ka shkaqe teknike. Opozita: Projekti s’mbyllet deri në 2024

Deputetët e opozitës theksuan se projekti pavarësisht lëvrimit të këtij fondi nuk do të mbyllet i tëri në vitin 2024.

7 Nëntor 2022, 18:10 Nga A.B
Fond 56.8 mln dollarë për aksin ‘Qukës-Qafë
Komisioni

TIRANË- Ditën e sotme në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese u votua në unanimitet finalizimi i marrëveshjes me Bankën Islamike për financimin e 56.8 milionë dollarëve shtesë për përfundimin e segmentit rrugor “Qukës-Qafë Plloçë”, deri në kilometrin 33.8. Segmenti rrugor i gjatë 43.8 kilometra ka mbetur pa përfunduar prej 13 vitesh për shkak të problemeve teknike, për të cilat u debatua edhe në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Drejtorja e politikave të zhvillimit, Eriola Muka u shpreh se projekti ka hasur në disa problematika, siç janë mospërputhje topografike apo probleme gjeologjike. 

"Në vitin 2011 hartimi i projektit, në 2012 u miratua nga ARRSH. Tenderimi në gjysmën e parë 2013, kontrata u firmos në 2015. Më pas zbatimi. Problematikat e hasura: Mos përputhje topografike, probleme gjeologjike, madje kemi urë që rrinte në ajër. Deri më tani ka përfunduar 49-50% e projektit te lotit III", tha Muka.

Kjo u has në kundërshtimin e opozitës. Deputeti Xhelal Mziu u shpreh se rritja e kostove nuk është aspak e justifikueshme. Deputetët e opozitës theksuan se projekti pavarësisht lëvrimit të këtij fondi nuk do të mbyllet i tëri në vitin 2024.

"Më kujtohet rruga e Elbasanit, që mbaroi për dy vite, e pastaj u deshën 6-7 vite për të bërë një shtesë kontrate 54 mln euro për një rrëshkitje. Edhe Kardhiq-Delvin, i ka kushtuar buxhetit 60%-70% më shumë se sa fondi fillestar. O duhet të shkojnë në burg ato që bëjnë projektet dhe janë të paaftë, ose është punë korrupsioni! Nëse ne bëjmë projektin fillestar 150 mln dollar, që do të thotë banka islamike 125 mln euro dhe Fondi saudit 25 mln euro. Sot shkon kosto e saj 258.5 mln euro. A është e justifikueshme 72% rritje kosto?" - tha Mziu.

"Pse nuk i keni çuar në prokurori këto mangësi? Është gabimi juaj? Sa është dëmi në ekonomi nga këto projekte dhe ndërhyrje që janë bërë?" - tha Luan Baçi.

"Me këtë financim nuk përfundon e gjithë rruga, prapë qeveria do të shtoj një tjetër fond për lotin 3" - tha Lefter Gështenja.

aksi qukes qafe plloce komisioni i veprimtarise

Sondazh

Poll