Politike

Dënimi i Izet Haxhisë/ Berisha: Erdhi tek unë për të mbuluar krimin, vrasja e Hajdarit ishte një akt terrorist

Ai tha se Haxhia i ishte bashkuar atij si truprojë më 14 shtator në mënyrë që të fshihte krimin. 

1 Nëntor 2022, 23:12 Nga F.M
Dënimi i Izet Haxhisë/ Berisha: Erdhi tek unë për të
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar dënimin me 21 vite burg që i dha sot Apeli Izet Haxhisë, duke konfirmuar vendimin për ta shpallur fajtor e dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit. I ftuar në 'ABC', Berisha tha se vrasja e Azem Hajdarit ishte një akt terrorist dhe se duhej zbardhur me patjetër. Ai tha se Haxhia i ishte bashkuar atij si truprojë më 14 shtator në mënyrë që të fshihte krimin. 

"Hetimi i operacionit të vrasjes së Azem Hajdarit nga prokurorët ndërkombëtar ishte i gjerë. Unë kam bërë një dëshmi dhe e kam dorëzuar tek ambasadori. Nuk kisha të dhëna, por për dy vëllezërit. Ka rezultuar, se ka pasur dëshmitarë. Unë i kam paraqitur nëpërmjet ambasadorit. Kanë faktuar se ai ka qenë dhe pozicionin se ku ka qenë në vrasje. Ai, iku në Turqi, e mbajti Turqia dhe nuk e solli. Ai është i dënuar, ky është konfirmim dënimi. Ai kishte ikur me kohë si truproja ime, ai kishte ardhur më 14 shtator tek unë për të fshehur krimin, ne e dinim atë, kishte dy vëllezërit të akuzuar për këtë gjë nga dëshmitarët. Absolutisht ata erdhën për ta ekzekutuar, siç edhe e ekzekutuan. Jo nuk është delikate, Hajdarit i thanë se ka një makinë, apo dy makina. Hajdari doli bashkë me truprojën dhe tek porta i tha Sali Lushës 'na sill një automatik'. Dhe e vranë atë. Kush u kërkoi atyre për ta vrarë Hajdarin? Qeveritarë, jo Nano. E di kur e kuptova që nuk ishte Nano? Unë dola dhe e thashë sepse sa ndodhën vrasjet filluan të merrnin njerëzit në telefon se ku po shkonin ata, kaluan urën e Matit, kaluan këtu e aty, s'i ndaluan askund. Çfarë të thoja unë? Që s'e bëri qeveria? Qeveria e bëri atë do thoja. Pati dëshmitarë. Ai ishte një akt terrorist,"- tha Berisha.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin me 21-vite burg të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Izet Haxhinë. Apeli la kështu në fuqi dënimin e dhënë në Shkurt të këtij viti nga Gjykata e Tiranës, që e shpalli fajtor për “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, ngjarje e ndodhur më 12 Shtator 1998. Për vrasjen u dënua dhe vëllai i Izetit, Ismet Haxhia me 20 vite heqje lirie, por tani e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër Jaho Salihi (Mulosmani) është dënuar me burg përjetë.

sali berisha

Sondazh

Poll