Aktualitet

"Policia na gjuajti me shqelma në bark", banorët e Lumasit sërish në protestë: Firma "Salillari" po shkatërron burimin e Sinecit

Ata kanë hedhur akuza të forta dhe ndaj Policisë, të cilët i akuzojnë për dhunë barbare. Një banore thotë se një efektive e Policisë e ka goditur në bark me shqelma e grushte. 

30 Tetor 2022, 12:11 Nga e.k
"Policia na gjuajti me shqelma në bark", banorët e Lumasit
Pamje nga protesta

BERAT- Banorët e fshatit Lumas janë ngritur sërish në protestë ditën e sotme. Ata kanë marshuar në këmbë drejt Sinecit ku kanë kërkuar mbrojtjen e burimit që sipas tyre po shkatërrohet nga punimet që po kryen firma Salillari. Ata shprehen se firma po u shkatërron burimin e ujit nga i cili furnizohet jo vetëm fshati i tyre po të gjithë fshatrat e tjerë deri në Lapardha ku më pas burimi derdhet në lumin Osum.

Banorët thonë se firma Salillari së bashku me bashkinë Kuçovë të mbështetur edhe nga qeveria, po u marrin të vetmin burim me të cilin ata jo vetëm sigurojnë të ardhurat por edhe jetojnë. Banorët thonë se bashkia nuk është ulur asnjëherë për të dëgjuar hallin e tyre dhe për të marrë mendimin e tyre lidhur me problemin që kanë. Ata kanë hedhur akuza të forta dhe ndaj Policisë, të cilët i akuzojnë për dhunë barbare. Një banore thotë se një efektive e Policisë e ka goditur në bark me shqelma e grushte. 

"Siç na kanë gjuajtur ne me shqelma këtu. I kemi me prova. Policia na gjuante me shqelma nga barku, policija femër më gjuante me shqelma nga barku që mos të më linte shenjë", tha një banore duke folur për Report TV.

Ndërsa një banore tjetër u shpreh se dhe pse e kanë kërkuar të drejtën e tyre në Prokurori dhe SPAK nuk kanë marë asnjëherë përgjigje duke akuzuar qeverinë se nuk mendon për ta por sipas tyre mendon vetëm për hajdutët.

"Në qoftë se do të vdesim të gjithë le të vdesim. Nuk na kthejnë përgjigje, as në SPAK as në Gjykatë, Ç'është ky shtet, ky është shtet për hajdutët. Popullin e thjeshtë po e dëmton, çdo vend ku ka protesta o burra sill Policinë. Po na morën ujin ne do vdesim", tha banorja.

Banorët janë shprehur se protesta e tyre do të vazhdojë derisa problemi i tyre të gjejë zgjidhje. Avokati i marrë nga banorët Arben Llangozi thotë se këtë shkelje të kompanisë ‘Salillari’ e kanë ndjekur në çështje ligjore, por deri më tani nuk është marrë asnjë hap nga autoritetet për të pezulluar punimet. Ata akuzojnë kreun e Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari se tenderin ia ka dhënë në mënyrë abuzive firmës Salillari.

berat policia e beratit banoret e fshatit lumas ne proteste

Sondazh

Poll