Politike

Zbulohet kandidati i dytë për primaret në Tiranë, Gert Bogdani futet në garë me Këlliçin

Po ashtu, ai ka theksuar se shkatërrimi i gjelbërimit, ajri i ndotur, trafiku i shtuar, mungesa e ujit lënia pas e arsimit janë disa nga shkaqet që e kanë çuar atë që të marrë vendimin për të kandiduar për primarët dhe nëse fiton për kryetar bashkie.  

30 Tetor 2022, 11:00 Nga I.A
 
Zbulohet kandidati i dytë për primaret në Tiranë, Gert
Gert Bogdani

TIRANË- Emri i dytë që do të futet në garën e Primareve të Partisë Demokratike për kryetar bashkie në Tiranë është anëtari i Këshillit Kombëtar Gert Bogdani. Gjatë fjalimit për prezantimin e kandidaturës së tij për primaret, Bogdani ka deklaruar se Tirana sot më shumë se kurrë ka nevojë për mirëqeverisje dhe vizion. Po ashtu, ai ka theksuar se shkatërrimi i gjelbërimit, ajri i ndotur, trafiku i shtuar, mungesa e ujit lënia pas e arsimit janë disa nga shkaqet që e kanë çuar atë që të marrë vendimin për të kandiduar për primarët dhe nëse fiton për kryetar bashkie.  

Fjalimi i Bogdanit:

Të dashur demokratë dhe demokrate, Të nderuar bashkëqytetarë të Tiranës, I lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje të vjetër tiranase, me traditë dhe vlera, kam jetuar çdo ditë me dashurinë dhe ndjeshmërinë më të thellë për qytetin tonë. Kam mësuar të njoh e të dua çdo cep të Tiranës dhe të respektoj çdokënd që kontribon për Tiranën, Kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.  Fatkeqësisht ndër vite dhe sidomos këto 8 vite të fundit, Tirana ka pësuar një deformim të rëndë dhe ka përjetuar, jo vetëm një shkatërrim të trashëgimisë dhe identitetit, por edhe një përkeqësim të ndjeshëm të jetës sonë të përditshme si banorë të kryeqytetit! Nuk ka asnjë banor të Tiranës, që nuk i vuan sot pasojat e keqmenaxhimit të qytetit! Duke filluar që nga fëmijët, të cilëve u janë zhvatur hapësirat e gjelbëra dhe parqet e lojërave, për t’i kthyer në beton! Ndërtimet dhe betonizimi pa kriter që po i marrin frymën çdo ditë e më shumë çdo banori të këtij qyteti! Trafiku i rënduar çdo orë të ditës dhe çdo ditë të javës, i cili i vjedh qytetarëve para dhe kohë; Ajri i ndotur që thithim përditë dhe ndotja akustike nga kamionët dhe betonieret që e kanë pushtuar qytetin.

Shkatërrimi i gjelbërimit, për të mbjellë beton! Ambjenti i ndotur dhe kazanët e mbushur plot me plehra, ndërkohë që Bashkia çon dëm dhe paguan në mënyrë korruptive miliona euro për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve dhe inceneratorëve! Mungesa e furnizimit dhe cilësia e ujit të pijshëm, ku premtimi për 24 orë ujë në ditë, ka kohë që është bërë refren elektoral sa herë që ka zgjedhje! Biznese e banorë që nuk kanë asnjë shërbim, por paguajnë taksa çdo herë e më të larta! Mungesa e vëmendjes ndaj shtresave në nevojë, arroganca ndaj nënave dhe baballarëve që mundohen të sigurojnë jetesën si shitës ambulantë dhe sulmi ndaj kujtdo që mundohet të nxjerrë bukën e gojës me ndershmëri në këtë qytet; Një transport publik që nuk garanton kushtet më minimale, jo thjeshtë të cilësisë, por as të sigurisë; Mungesa e vendparkimeve, kostot e papërballueshme në krahasim me rrogat dhe gjobat e pafundme abuzive me të cilat banorët zgjohen çdo mëngjes mbi xhamat e makinave të tyre! Një qytet që përmbytet me 12 minuta rrebesh vere, sepse paratë janë hedhur, por kanalizime nuk ka; Një qytet ku ndërtohet sikur të ishte viti 2050, por infrastruktura ka mbetur ajo e vjetra ende në vitin 1950!

Mungesa totale e vëmendjes për zonat rurale, për infrastrukturën, për shërbimet e për mirëqënien e banorëve të këtyre zonave, vetëm sepse janë larg objektivit të kamerave dhe propagandës; Mungesa e theksuar e respektit ndaj ligjit, arbitrariteti dhe dhunimi i pronës private dhe mirëqenies së komuniteteve të tëra Tiranës, duke filluar që nga shaktërrimet tek 5 Maji, Lapraka, Shkoza, Baldushku e Kombinati e deri tek mungesa totale e respektit të trashëgimisë, traditës dhe identitetit të kryeqytetit, që kulmoi me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar!  Ndryshe nga çfarë mundohet të shfaqë propaganda, realitetin e jetojmë çdo ditë dhe realiteti flet qartë. Flet qartë për dekandencën urbane dhe modelin korruptiv që nëpërkëmb cdo ditë e më shumë dinjitetin dhe mirëqenien e secilit prej nesh! Fëmijët dhe të rinjtë e Tiranës e bëjnë ende mësimin me dy turne, sepse Bashkia lekët për shkolla ua jep konçesioneve korruptive. Edhe atëherë kur ndërton ndonjë shkollë, kostot i ka 4 herë më shtrenjtë se Bashkimi Europian, sepse lekët që duhet të ishin për fëmijët nuk investohen, por vidhen! Shpallja e kandidaturës në këtë proçes primaresh, është zotimi im për të shërbyer me përkushtim dhe përulësi –  për t’i prirë kthesës për ndryshim që Tirana kërkon dhe meriton si metropol i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë shkojnë bashkë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Marrëveshja e kthyer në një "kontratë" bashkëpunimi elektoral mes dy partive u firmos nga dy kryetarët Sali Berisha dhe Ilir Meta. Belind Këlliçi është personi i parë nga Partia Demokratike që ka finalizuar kandidimin për primaret. Deri më tani janë lakuar edhe emra të tjerë për Tiranën, si mjeku Ilir Alimehmeti, aktori Julian Deda që është njëkohësisht anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

gert bogdani

Sondazh

Poll