Bota

Kërkoi hetim për vrasjen e kurdëve, Turqia arreston shefen e mjekëve për "propagandë terrori"

Javën e kaluar grupi militant publikoi një video që tha se tregonte trupat turke duke lëshuar një substancë në një shpellë, si dhe efektet e saj tek një luftëtar mashkull dhe femër. PKK identifikoi 17 nga anëtarët e saj të cilët tha se ishin vrarë kohët e fundit nga armë të tilla në Irakun verior.

26 Tetor 2022, 16:24 Nga d.a.
Kërkoi hetim për vrasjen e kurdëve, Turqia arreston shefen e
Sebnem Korur Fincanci

TURQI- Kreu i shoqatës së mjekëve të Turqisë është arrestuar për shkak të thirrjes për një hetim mbi pretendimet se ushtria përdori armë kimike kundër militantëve kurdë. Sebnem Korur Fincanci dyshohet se ka përhapur propagandë terroriste dhe fyer Turqinë, thonë prokurorët. Një aktiviste kryesore e të drejtave të njeriut, ajo i bëri komentet në mediat pro-kurde.

Sipas BBC, javën e kaluar grupi militant kurd publikoi një video që tha se tregonte trupat turke duke lëshuar një substancë në një shpellë, si dhe efektet e saj tek një luftëtar mashkull dhe femër. PKK identifikoi 17 nga anëtarët e saj të cilët tha se ishin vrarë kohët e fundit nga armë të tilla në Irakun verior.

Fincanci, e cila është gjithashtu specialiste e mjekësisë ligjore, i tha Medya Haber TV se ajo kishte parë videon dhe besonte se ishin përdorur gazra toksikë që preknin sistemin nervor. Kreu i burgosur i partisë pro-kurde HDP në Turqi, Selahattin Demirtas, ra dakord me të se duhet të ketë një hetim.

Turqia mohon përdorimin e armëve kimike kundër PKK-së, të cilën BE dhe SHBA e konsiderojnë si një organizatë terroriste. Ministria e mbrojtjes në Ankara tha se forcat e armatosura të Turqisë nuk përdorën municion të ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe ndihmësit e presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan kritikuan Fincanci për përsëritjen e pretendimeve.

Erdogan është zotuar të marrë masa kundër shoqatës së mjekëve turk dhe kryetares së saj, të cilën ai e akuzoi se fliste gjuhën e PKK.

"Ne jemi të vendosur t'i bëjmë shoqatat profesionale të fokusohen në qëllimet e tyre të themelimit, duke i pastruar ato nga mbështetësit e organizatave terroriste," tha ai.

Turqia miratoi kohët e fundit një ligj të ri për median që kërkon dënime me burg deri në tre vjet për shpërndarjen e informacionit të rremë rreth sigurisë turke që do të shkaktonte "frikë dhe prishje të rendit publik". Amnesty International e përshkroi ligjin si "një tjetër ditë e zezë për lirinë e shprehjes në internet dhe lirinë e shtypit në Turqi".

Presidenti Erdogan do të përballet me zgjedhjet për presidencën dhe parlamentin vitin e ardhshëm dhe vitet e fundit ai ka lëvizur për të zgjeruar kontrollin e tij në mediat.

sebnem korur fincanci arrestohet mjekja ne turqi selahattin demirtas

Sondazh

Poll