Sport

VIDEO/ Juventus e mbyll aventurën në Champions! Milan 'gris' Dinamon e Zagrebit, PSG 7 gola Maccabit (Rezultatet e tjera)

Kanë përfunduar gjashtë takimet e raundit të pestë të grupeve të Champions League.

25 Tetor 2022, 22:52 Nga DOSJA

VIDEO/ Juventus e mbyll aventurën në Champions! Milan

EUROPË- Kanë përfunduar gjashtë takimet e raundit të pestë të grupeve të Champions League. Milan merr një fitore të rëndësishme përballë Dinamos së Zagrebit në transfertë me shifrat 0-4. Një ndeshje që nisi jo mirë për kuqezinjtë, me kroatët që kontrollonin lojën dhe madje u shfaqën rrezikshëm në disa momente, por mjaftoi fillimisht një gol i Gabbias në minutën e 39', për të zhbalancuar Dinamon e Zagrebit.

Në pjesën e dytë, Leao do të shënonte në të 49-tën duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes, ndërsa Giroud nga pika e bardhë e penalltisë dhe një autogol i Ljubicic, mjaftuan që kuqezinjtë të merrnin tre pikë të rëndësishme. Milan renditet në vendin e dytë në kuotën e 7 pikëve në Grupin E dhe në përballjen e fundit ndaj Salzburg, mjafton edhe një barazim. Spektakël në takimin Benfica-Juventus. Përballja e vlefshme për Grupin H, përfundoi me shifrat 4-3.

Një pjesë e parë ku u shënuan katër gola. Fillimisht do të ishin vendasit në minutën e 17' që do të kalonin në avantazh me Antonio Silva-n, ndërsa Kean do të barazonte shifrat pas 4 minutash. Megjithatë, Joao Mario në minutën e 35' nga penalltia dhe Rafa Silva disa minuta më pas, mbyllën këtë pjesë të parë. Në fraksionin e dytë, Rafa Silva do të shënonte sërish në minutën e 50', ndërsa Juventus u hodh në sulm dhe ia doli të shënojë dy herë më Milik dhe McKenie në minutat 77' dhe 79'.

Në takimet e tjera, PSG merr fitoren më të thellë deri më tani, duke mposhtur Maccabin me shifrat 7-2, ndërsa Real Madrid, pavarësisht se është kualifikuar në Grupin F, u mposht nga Leipzig me shifrat 3-2. Kampionët në fuqi renditen në vendin e parë në kuotën e 10 pikëve, ndjekur nga gjermanët me një pikë më pak. Në takimet e tjera, Manchester City- Dortmund u mbyll me shifrat 0-0, ndërsa po në barazim me shifrat 1-1 përfundoi edhe ndeshja mes Celtic dhe Shakhtar.

E.Ç (Dosja.al)

milan champions league

Sondazh

Poll