Politike

Samiti i 6 dhjetorit/ Rama: Historike, s'e imagjinoja dot të prisnim liderët evropianë, 'qershia mbi tortë' pas UEFA Conference League

Kreu i qeverisë shton se deri pak vite më parë, askush nuk mund ta imagjinonte që të gjithë liderët e BE-së do të mblidheshin në Tiranë për një organizim që gjithmonë bëhet në Bruksel.

24 Tetor 2022, 13:22 Nga F.M
Samiti i 6 dhjetorit/ Rama: Historike, s'e imagjinoja dot të prisnim
Samiti i kaluar në Bruksel

TIRANË- 6 dhjetori, dita kur liderët evropianë do të zbresin në Tiranë për Samitin e e radhës BE-Ballkani Perëndimor është konsideruar një ditë historike nga ana e kryeministrit Edi Rama. Në një postim në Facebook, teksa ka postuar një foto krah liderëve, Rama shkruan se për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Kreu i qeverisë shton se deri pak vite më parë, askush nuk mund ta imagjinonte që të gjithë liderët e BE-së do të mblidheshin në Tiranë për një organizim që gjithmonë bëhet në Bruksel. Rama shprehet se kjo ngjarje është 'qershia mbi tortë' pas finales së UEFA Conference League që u mbajt në Tiranë.

Postimi: 

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës. Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian&Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.

Lajmi për mbajtjen e Samitit u dha një ditë më parë nga vetë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Në një postim në rrjetet sociale, Michel shkruante se në këtë Samit, BE do të konfirmojë angazhimin kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se sot, të dyja palët kanë nevojë për njëri-tjetrin.

edi rama samiti be-ballkani perëndimor 6 dhjetor

Sondazh

Poll