Bota

Vendet Baltike i bëjnë thirrje BE-së për një gjykatë të posaçme për krimet e Rusisë në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) po heton aktualisht krimet e mundshme të luftës të kryera nga forcat ruse në Ukrainë që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkurt.

21 Tetor 2022, 17:43 Nga d.a.
Vendet Baltike i bëjnë thirrje BE-së për një
Michel, Sanchez dhe Macron

BRUKSEL- Udhëheqësit nga shtetet baltike u kërkuan të premten homologëve të tyre të BE-së që të ndihmojnë në ngritjen e një gjykate të posaçme për të ndjekur penalisht drejtuesit kryesorë të Rusisë për "krimin e agresionit" kundër Ukrainës.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) po heton aktualisht krimet e mundshme të luftës të kryera nga forcat ruse në Ukrainë që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkurt. Por ka thirrje nga Kievi për të krijuar një gjykatë shtesë për të shënjestruar Moskën për "krimin e agresionit", pasi kjo do të lejonte ndjekjen më të shpejtë të udhëheqjes ruse.

"Ne patjetër duhet të diskutojmë përgjigjen ligjore ndaj krimeve të agresionit që janë kryer dhe si të krijojmë një gjykatë të veçantë për t'i ndjekur penalisht ata. Krimet e luftës ndiqen penalisht nga GJNP, por krimi i agresionit mund të ndiqet penalisht vetëm nga një gjykatë e veçantë, dhe unë shoh se Bashkimi Evropian mund të jetë lider në këtë mënyrë," tha kryeministrja estoneze Kaja Kallas, në një samit të liderëve të BE-së në Bruksel.

Kryeministri letonez Krisjanis Karins tha se blloku duhet “të fillojë të punojë drejt një tribunali për të kuptuar se si ta mbajë Rusinë përgjegjëse ligjërisht edhe për mizoritë që po kryejnë sot në Ukrainë”.

Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të bllokut, ka mbështetur gjithashtu shtytjen për një gjykatë të posaçme, por të tjerët në Bruksel janë më të kujdesshëm për këtë masë.

Komisioneri i drejtësisë i BE-së, Didier Reynders, tha javën e kaluar se ishte e nevojshme “së pari të shfrytëzohen maksimalisht të gjitha mjetet ekzistuese”, duke treguar hetimet dhe punën e GJNP-së që po bëhet nga prokurori i Ukrainës.

Koncepti ligjor i krimit të agresionit e ka origjinën në gjyqet e Nurembergut që ndoqën lidershipin nazist pas Luftës së Dytë Botërore.

kaja kallas krisjanis karins didier reynders

Sondazh

Poll