Politike

Balla: Paketa anti-shpifje ra, propozuesit u tërhoqën, por ekziston rreziku i financimit rus nëpër media

Balla tha se janë tërhequr ato ndryshime ligjore që janë bërë para tre vitesh, por që në Kuvend vijon të qëndrojë rezoluta kundër dezinformimit.

18 Tetor 2022, 20:37 Nga F.M
Balla: Paketa anti-shpifje ra, propozuesit u tërhoqën, por ekziston
Taulant Balla

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se ndryshimet për ligjin e medias janë tërhequr nga propozuesit. Nga Fieri, në një deklaratë për mediat, Balla thotë se iniciativa ligjore ka rënë, përderisa propozuesit janë tërhequr. Balla tha se janë tërhequr ato ndryshime ligjore që janë bërë para tre vitesh, por që në Kuvend vijon të qëndrojë rezoluta kundër dezinformimit. Sipas tij, kjo gjë ndodh pasi ekziston rreziku i financimit të mediave nga Rusia.

“E para, dua t’ju informoj se ndryshimet në ligjin për median, që kanë të bëjnë me shpifjen janë tërhequr nga propozuesi. Kur propozuesi tërhiqet, e gjithë iniciativa ligjore ka rënë kështu që….Por, dua t’ju rikonfirmoj se ne kemi tërhequr ato ndryshime ligjore të cilat janë bërë para tre vitesh. Në kushtet që jemi, edhe në shumë vende ka rezoluta në PE kundër dezinformimit dhe ne kemi miratuar një rezolutë të tillë dhe në fakt kemi një rrezik të vazhdueshëm që sponsorizohet me rublat ruse. Në raport u tha qartë që Rusia ka ndikuar në minimin e demokracisë, duke sponsorizuar partitë politike, por që ka ndodhur edhe me mediat. Media është pushtet i katër, por ky pushtet i katërt duhet të mos bjerë në financimet e paligjshme nga aktorët që minojnë demokracinë. Në të ardhmen, duhet të mendojmë mekanizmat si të mbrojmë demokracinë duke mbrojtur financime nga aktorë jo miqësorë, në Shqipëri dhe Evropë,”- tha Balla ndër të tjera.

Paketa ligjore Anti-Shpifje u propozua në vitin 2020 dhe kishte të bënte me kompetencat e zgjeruara që i jepen Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale, (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike edhe Postare, (AKEP), për të vendosur gjoba të kripura dhe mbyllur portale elektronike nëse, kur sipas tyre, në publikimet online "shpifin dhe cënojnë dinjitetin e individit.” Por, kjo nismë solli debat, pasi në rekomandimet e Komisionit të Venecias këto kompetenca cilësohen si mekanizma që cënojnë lirinë e medias.

taulant balla

Sondazh

Poll