Politike

Berisha: Basha mashtroi! Shqiptaro-amerikanët lëshuan dëshmi false, nuk kanë dhënë para

Kreu i selisë blu thotë se ka qenë kryeministri Edi Rama ai që nuk e lejonte hetimin për këtë dosje dhe ndaj asnjë shqiptaro-amerikan nuk është marrë në pyetje. 

17 Tetor 2022, 21:47 Nga F.M
Berisha: Basha mashtroi! Shqiptaro-amerikanët lëshuan dëshmi
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se shqiptaro-amerikanët i kanë rrëfyer se kanë lëshuar një dëshmi false pasi nuk kanë paguar asgjë për 'fund raising' me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. I ftuar në "Çim Peka Live", Berisha thotë se shqiptaro-amerikanët i kanë rrëfyer se janë të gatshëm të dëshmojnë në prokurorinë shqiptare, por që nuk ua ka kërkuar askush këtë gjë. Kreu i selisë blu thotë se ka qenë kryeministri Edi Rama ai që nuk e lejonte hetimin për këtë dosje dhe ndaj asnjë shqiptaro-amerikan nuk është marrë në pyetje. 

"Lulzim Basha më tha se këto para i kam mbledhur te biznesmenët shqiptarë në SHBA. E pyeta, a është kjo ligjore në përputhje me ligjet shqiptare dhe amerikane? - Plotësisht, më tha. Dhe unë e besova. Si kanë shkuar ato? - I ka kërkuar Muzin, tha, që të transferohen. Këtu ai ka sajuar një gënjeshtër se s'mund të them se komuniteti i zbulimit u mor me Dam Fridman se doli dhe tha se e kam ngritur këtë çështje që në 2018, investigimin që kishte bërë. Çfarë gjeta unë? Në mars të këtij viti filluan të më thonë shqiptaro-amerikanë se ne kemi lëshuar dëshmi false, nuk kemi dhënë para. Gënjen Lulzim Basha kur thotë se ka bërë fund raising me ne. Kemi firmosur, por para nuk kemi dhënë. Më thanë mua jemi gati të vijmë të dëshmojmë në prokurorinë shqiptare. Kanë firmosur për të ndihmuar Bashën. Dhe unë dola në konferencë shtypi në datën 14 prill dhe u thashë gazetarëve se paratë janë ruse. Dhe i them se Edi Rama po e mbron Lulzim Bashën nga financimi rus. Shoh tani unë që nuk është pyetur asnjë shqiptaro-amerikan. Edi Rama nuk lejonte hetimin. Unë mendova se këta kanë çuar prokuror atje. Asnjë. Këta nuk kanë thirrur Nick Muzin. Dhe përgjigjja s'dihet ku ka ngelur, thuhet në ambasadë. Në datën 14 prill kam deklaruar para gazetarëve se Edi Rama po mbyll dosjen ruse të Lulzim Bashës. Edi Rama tani mburret me rublat, por dosjen e rublave ai e mbylli. Janë 627 mijë dollarë që i janë dhënë Nick Muzin,"- tha Berisha ndër të tjera. 

Berisha është distancuar edhe më herët nga 500 mijë dollarët që janë lobuar nga Rusia në Partinë Demokratike. Kryedemokrati Sali Berisha ka ngritur një grup auditimi për të hetuar çështjen e lobingut rus në Partinë Demokratike, kohë kur selia blu drejtohej nga Lulzim Basha. Kryetare e këtij grupi auditi është emëruar Ledina Mandija. Anëtarë janë zjgedhur: Florian Mima, Edmond Spaho dhe Eno Bozdo. Lobingu rus doli në pah nga një raport i inteligjencës amerikane që ka dalë në konkluzionin se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në atë kohë selia blu drejtohej nga Lulzim Basha, i cili është akuzuar shumë herë publikisht për dosjen ‘Muzin’.

Gjithçka erdhi pasi firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Dyshimet ishin se pas pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Autoritet shqiptare hapën hetime, por prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfajësuar duke u shprehur fillimisht se 500 mijë dollarët u dhanë nga shqiptaro-amerikanët, por më pas tha se ai vetë nuk ka lidhje me burimin e parave e se kjo ishte një çështje që i përkiste lobuesit, pra, firmës Muzin.

sali berisha lulzim basha edi rama

Sondazh

Poll