Aktualitet

Do blinin prona me lekë falso në Shqipëri! Si u zbulua grupi i kamerunasit, SMS: Duhet të kesh frikë

Nga përgjimet ka rezultuar se shtetasja zvicerane, i prezantonte dy kamerunasit si investitor strategjikë, për të blerë prona në Shqipëri.

13 Tetor 2022, 16:22 Nga A.B
Do blinin prona me lekë falso në Shqipëri! Si u zbulua grupi i
Josoue Ngankam

TIRANË-Eurot false që solli nga Franca kamerunasi, Josoue Ngankam të cilat u zbuluan nga policia në Rinas në shkurt të 2022-it, do të përdoreshin për të blerë një vilë në bregdet në Lezhë dhe një lokal në autostradën Tiranë-Durrës. 'Reporttv' ka siguruar disa nga përgjimet e prokurorisë të cilat kanë dalë ndërmjet grupit të bashkëpunëtorëve, 2 kamerunasve Josoue Ngankam, Zinedine Nkeh si dhe zviceranes Jennifer Chollet.

40-vjeçarja, Jennifer Chollet, me kombësi zvicerane, në momentin e zbulimit të 270 mije euro false, ka njoftuar bashkëpunëtorin e saj kamerunas Zinedine Nkeh, se tani duhet ‘të kenë frikë, pasi janë zbuluar’, mesazh ky i shkruar në gjuhën franceze.

Pas këtij mesazhi, një nga anëtarët e grupit, Zinedine Nkeh, ka blerë biletë për tu arratistur Tiranë-Milano, por u arrestua në hyrje të hotelit. Kamerunasi, ka pasur komunikime të vazhdueshme me shkrim dhe mesazhe zanore me zviceranen, si dhe kjo e fundit i ka dërguar edhe fotografinë e personit të arrestuar në Aeroportin e Rinasit, që ishte bashkëpunëtor i tyre. Jenny Chollet dhe Zinedine Nkeh kanë pasur edhe takime fizike, ku janë takuar tek bar kafe ”Flora”.

Nga përgjimet ka rezultuar se shtetasja zvicerane, i prezantonte dy kamerunasit si investitor strategjikë, për të blerë prona në Shqipëri.

SI U ARRESTUAN?

53-vjeçarit nga Kameruni Josoua Ngankam, iu gjetën 1.2 milionë euro false në Rinas. 53-vjeçari me leje qëndrimi në Francë, vinte transit nga Turqia për në vendin tonë. Gjatë kontrollit në valixhen e rrobave këtij personi janë gjetur sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).

Zviceriania Chollet jetonte prej disa vitesh në vendin tonë dhe emri i saj si bashkëpunëtore është shfaqur pas marrjes së deklarimeve të Ngankam. Zinedine Nkeh, 45 vjeç, rezulton të ishte Toni, personi që Ngankam kishte deklaruar më herët se ishte shqiptari që i kishte dhënë çantën ku u gjetën paratë në Tiranë. Nkeh, ishte autor kryesor në sjelljen e parave false, i kishte dhënë një adresë të një hoteli më Laprakë ku do të takoheshin për të marrë çantën.

Zinedine Nkeh kishte mbërritur në Shqipëri disa ditë para Ngangam me një linjë tranziti. Gjatë kontrollit në banesën e Chollet, 39-vjeçare, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, lastra dhe produkte të tjera që shërbejnë për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.

josoue ngankam zinedine nkeh jennifer chollet

Sondazh

Poll