Bota

Ditë vendimtare për Kosovën, sot në Bruksel do të diskutohet liberalizimi i vizave

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

13 Tetor 2022, 08:56 Nga d.a.
Ditë vendimtare për Kosovën, sot në Bruksel do të
Kosove

BRUKSEL- Ditën e sotme është një ditë e rëndësishme për Kosovën pasi presidenca çeke e BE ka vendosur në rend dite liberalizimin e vizave për vendin.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke shtuar se ky proces duhet të finalizohet brenda disa muajve. Nëse arrihet pajtueshmëri, liberalizimi i vizave do të vlejë për të gjithë ata që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës. Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.

Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.  Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian vlerësoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo pati vënë kusht për finalizim të procesit që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Më pas më 2018, Komisioni Evropian konstatoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe propozoi liberalizim e vizave. Parlamenti Evropian e ka mbështetur këtë vendim, mirëpo disa vende skeptike si Franca dhe Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi. Në mesin e shqetësimeve të tyre ishte edhe ajo e rritjes së numrit të banorëve të Kosovës që do të synonin BE-në dhe keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes për të kërkuar azil në bllokun evropian.

 Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, kanë kaluar në fazën e negociatave për anëtarësim në BE.

liberalizimi i vizave per kosoven

Sondazh

Poll