Sport

Derbi i kryeqytetit, ai që i shkaktoi 30.000 euro dëme stadiumit “Air Albania"…

Arena kombëtare ka mbetur me vetëm 6 stola në magazinë, u thyen 296 stola ndeshjen e fundit

11 Tetor 2022, 15:31 Nga DOSJA

Derbi i kryeqytetit, ai që i shkaktoi 30.000 euro dëme stadiumit

TIRANE - Tifozeria është një nga elementët më të bukur të një ndeshjeje futbolli, apo siç thonë aktorët, për ata luhet futbolli. Por ajo që lën pas, është pjesa më e shëmtuar në disa sektorë të stadiumeve. “Air Albania” impianti më modern dhe më i bukur i vendit tonë është gjithmonë në vitet e fundit streha e tifozerive kryeqytetase. Kur luhet derbi emocionet tejkalojnë, çdo gjë pozitive apo negative qofshin ato, sjellin pasoja, si fizike për këtë impiant ashtu edhe ekonomike.

Ndeshja e fundit derbi Partizani-Tirana, ku ishin të pranishëm mbi 14.000 tifozë solli të ardhura të majme, në pamje të parë për klubin e Partizanit që ishte pritës, rreth 120 mln lekë nga biletat e shitura.

Por kalojnë pak ditë, dhe në bërjen e llogarive, bien në sy një shpenzim prej 11.500 euro dëm ndaj klubit të kuq, që kanë bërë tifozët, me 115 stola të thyer, nga 296 stola të thyer në total. Ndërkohë, 181 stola rezultojnë të thyer në krahun, ku qëndronte tifozeria bardheblu, që si për ironi të fatit, pavarësisht fitores së skuadrës së tyre, i kanë sjellë klubit një dëm financiar rreth 18.100 euro.

Drejtoria e stadiumit “Air Albania” bën të ditur për Top Channel se në total dëmi i kësaj ndeshjeje arrin shifrën e 30.000 eurove dhe jo vetëm kaq, por në magazinat e tyre kanë mbetur vetëm 6 stola rezervë, përveç këtyre që do të zëvendësohen.

Një situatë kritike që i ka detyruar ata të mbyllin dyert e stadiumit kombëtar deri më 16 nëntor, kur kuqezinjtë do të masin forcat në një ndeshje miqësore me kampionët e Europës të Italisë. Deri në atë date, as Tirana dhe as Partizani, nuk do të kenë më mundësi që të luajnë në këtë impiant.

Një rutinë kjo e thyerjes së stoalve që ka vënë në diskutim tashmë edhe zëvendësimin e tyre, duke qenë se kanë një kosot rreth 100 euro për ulëse, e si rrjedhojë, ndoshta pjesa pas portave do të zëvendësohet me një model tjetër, për të evituar dëme të tilla me dhjetëra mijëra euro, por që sigurisht mund të sjellë edhe një ndryshim në pamje, të një prej impianteve më modern futbollistik të vendit tonë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll