Politike

Alibeaj: Data e zgjedhjeve të vendoset pas 21 Tetorit, mos të pengohet shqyrtimi i reformës

Alibeaj deklaroi ditën e sotme se i ka kërkuar Presidentit Bajram Begajt që të vendosë brenda afateve datën për zgjedhjet lokale.

6 Tetor 2022, 13:28 Nga A.B
Alibeaj: Data e zgjedhjeve të vendoset pas 21 Tetorit, mos të pengohet
Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi ditën e sotme se i ka kërkuar Presidentit Bajram Begajt që të vendosë brenda afateve datën për zgjedhjet lokale. Përmes një postimi të bërë në 'Facebook', Alibeaj bën të ditur se i ka kërkuar Begajt që të mos e caktojë datën para datës 21 Tetor, por pas saj. Deputeti kërkoi këtë pasi vlerëson të rëndësishëm që të përfundojë afati i komisionit i reformës Administrative-Territoriale, për të mos u bërë pengesë për shqyrtimin e kësaj reforme.

POSTIMI:

Me ftesën e dërguar prej Presidencës, zhvillova një takim me Presidentin e Republikës. Në respekt të institucionit dhe Kushtetutës bisedova me të për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale.
I shpreha qëndrimin tonë se data e zgjedhjeve duhet të caktohet sa më herët brenda afateve që parashikon Kushtetuta dhe ligji.

Zgjedhjet janë e drejtë themelore e shqiptarëve, mundësia që ata kanë për të ndëshkuar pushtetin me votë.
Shqiptarët duan, madje kanë kërkesë ultimative që me votë të ndëshkojnë këtë pushtet sepse kanë një llogari të hapur me këtë regjim. Ndaj është detyrim yni që ti bindemi nevojës së tyre, dhe t'ia krijojmë këtë mundësi kushtetuese shqiptarëve. Sa më shpejt!

Të rëndësishëm vlerësova gjatë takimit edhe faktin që Presidenti i Republikës të shprehet për caktimin e datës pasi të përfundojë afati i komisionit të reformës Administrative - Territoriale (data 21 tetor), në mënyrë që të mos bëhet pengesë për shqyrtimin e kësaj reforme që kërkohet nga gjithë shqiptarët.

enkelejd alibeaj zgjedhjet vendore 2023

Sondazh

Poll