Sport

Vendim i Bashkisë: Në Paris nuk do të ketë ekrane gjigante për ndeshjet e Kupës së Botës në ‘Katar 2022’. Ja arsyeja pse…

Ky vendim i kryeqytetit francez, në konsultim me qytetet Lille, Strasburg, Reims, Bordeaux dhe Marseille, është një protestë ndaj vendit ku do të zhvillohet Botërori.

4 Tetor 2022, 07:21 Nga DOSJA

Vendim i Bashkisë: Në Paris nuk do të ketë ekrane gjigante

FRANCE - Këshilli i Qytetit të Parisit njoftoi këtë të hënë, se nuk do të ketë ekrane gjigante për të transmetuar ndeshjet e Kupës së Botës 2022 në hapësira publike. Eventi, mbani mend, zhvillohet midis 20 nëntorit dhe deri më 18 dhjetorit në Katar.

Ky vendim i kryeqytetit francez, në konsultim me qytetet Lille, Strasburg, Reims, Bordeaux dhe Marseille, është një protestë ndaj vendit ku do të zhvillohet Botërori. Kujtohet se Katari ka qenë nën disa kritika për shkelje të të drejtave të punëtorëve migrantë, të cilët tashmë kanë viktimizuar më shumë se 6500 njerëz, sipas një raporti të ‘The Guardian’.

Nënkryetari i bashkisë së Parisit, përgjegjës për sportin, Pierre Rabadan, e justifikoi këtë vendim për AFP me “kushtet e organizimit të këtij Botërori, si në aspektin mjedisor ashtu edhe në atë social”. Ai theksoi gjithashtu edhe “kohën e ngjarjes, faktin që ajo zhvillohet në dhjetor”.

Mbrojtjen e titullit të kampionit të botës, Franca do të nisë në Grupin D. ‘Blutë’ do të përballen me Australinë, Danimarkën dhe Tunizinë, sfida që nuk do të kenë transmetimin e zakonshëm në hapësirat publike të disa qyteteve të vendit.

Vendim i Bashkisë: Në Paris nuk do të ketë ekrane gjigante

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll