Sport

Lojtaret akuzojnë trajnerin e Famalicãos për ngacmim seksual, klubi nuk i beson…

Tekniku portugez shkëmbeu mesazhe intime me disa të reja nga 18 deri në 20 vjeç gjatë qëndrimit në Río Ave.

30 Shtator 2022, 12:04 Nga DOSJA

Lojtaret akuzojnë trajnerin e Famalicãos për ngacmim seksual,

PORTUGALI - Marrja e Miguel Afonso si trajner i Famalicão, një skuadër e kategorisë së parë portugeze për femra, ka zbuluar një nga skandalet më të mëdha në botën e futbollit në Portugali. Sipas gazetës ‘Público’, pas disa javësh hetime dhe pas konsultimit me burime të ndryshme, trajneri përfshihet në një skandal seksual, duke ngacmuar futbolliste të ndryshme kur ishte në krye të Rio Aves, situatë kjo e cila nuk e ka penguar që të ulet sërish në stolin e një ekipi për femra.

"A ju pëlqejnë femrat, apo meshkujt?" Ishte një nga pyetjet e para që trajneri i bëri një prej lojtareve 19-vjeçare gjatë parasezonit Río Ave në sezonin 2020/21. "Më pyeti disa herë nëse kishte diçka në pamjen e tij fizike që më tërhiqte. Më kërkonte video, në të cilat lëvizja trupin. Mendova se isha e vetmja, por më pas kuptova që nuk isha vetëm unë",- thotë njera prej lojtareve në ‘Publico’.

“Ai na pyeti nëse donim të shtonim apo të humbnim peshë dhe në varësi të përgjigjes na kërkoi që t’i dërgonim foto dhe ta mbanim të fshehtë bisedën”,- thotë një tjetër lojtare 19-vjeçare, e cila ka njoftuar prindërit e saj për këtë. “Kur i thashë që prindërit e mi nuk e konsiderojnë këtë trajtim normal, ai u ndal, por më pas u takua me drejtuesit e klubit dhe shpiku gjëra që nuk i kisha thënë. Nga hetimit rezultoi gjithashtu se trajneri kishte pasur një lidhje me të dashurin e një prej lojtareve, të cilit i tha se gjithçka ishte një shaka.

Trajneri, i cili gjithmonë i mohonte faktet, përfundoi duke u larguar nga Río Ave, por këtë sezon ai ka gjetur një vend në stolin e Famalicão. Me të dëgjuar lajmin, lojtaret dhe përfaqësuesit ia vunë në vëmendje presidentit të klubit, Jorge Silva, i cili deri më sot nuk ka bërë asnjë lëvizje për këtë çështje. Marrja në punë e trajnerit u krye nga drejtori sportiv i klubit, Samuel Costa, i cili ishte në dijeni edhe të historisë së Miguel Afonso. 

"Kishte disa përfaqësues të lojtareve që më informuan për një thashethem, por pa asnjë lloj prove. Natyrisht, ne pyetëm trajnerin dhe ai na siguroi se e gjitha ishte një gënjeshtër. Ne e besojmë atë,"- siguroi Costa për ‘Público’. Siç shpjegohet në artikull, në rast ankimimi formal, tekniku mund të dënohet me dënim nga tre muaj deri në një vit pezullim jashtë procedimit penal që mund të niste paralelisht.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll