Aktualitet

Çështja e Kompleksit Partizani/ “Kam zbatuar të gjitha procedurat ligjore”, Lala jep detaje për pyetjen e Rulit nga SPAK

Lala tha se Ruli a pretenduar se ka zbatuar të gjitha procedurat e posaçme lidhur me privatizimin e këtij kompleksi. 

27 Shtator 2022, 13:48 Nga F.M

 

Çështja e Kompleksit Partizani/ “Kam zbatuar të gjitha
Genc Ruli

 

TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje në lidhje me marrjen në pyetje të ish-ministrit të Financave dhe Ekonimisë Genc Ruli, në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Në një raportim për News24, Lala tha se Ruli a pretenduar se ka zbatuar të gjitha procedurat e posaçme lidhur me privatizimin e këtij kompleksi. 

"Ruli qëndroi afro një orë dhe dha shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin. Ky kallëzim është bërë nga PS dhe kreu i grupit parlamentar socialist, i cili iu drejtuar SPAK duke thënë se ka shkelje të rënda në lidhje me këtë privatizim. Ruli u është përgjigjur të gjitha pyetjeve, ndërsa burime kanë bërë me dije se ka pretenduar se ka zbatuar të gjitha procedurat e posaçme lidhur me privatizimin, ndërsa ka refuzuar që të flasë për mediat,"- tha Lala ndër të tjera. 

Ruli shkoi sot në dyert e SPAK. Ndërsa një ditë më parë u mor në pyetje ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani. Në përfundim të marrjes në pyetje nga SPAK, ish-gjenerali Qirjazi foli para mediave dhe tha se ai vetë ka kryer çdo procedurë që i është konsideruar ligjore. Ndër të tjera, Qirjazi shtoi se firmën nuk ia ka kërkuar askush, por një shkresë e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes që në atë kohë drejtohej nga Gazmend Oketa, person i marrë në pyetje gjithashtu nga Prokurorët e Posaçëm.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa është marrë gjithashtu në pyetje nga SPAK. Ai pretendon se nuk ka shkelur ligjin, por pa dhënë më shumë detaje. Fatmir Mediu është pyetur gjithashtu, ndërkohë që pritet që në zyrat e SPAK të shkelë dhe vetë kryedemokrati Sali Berisha e dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi. Kallëzimi penal për këtë çështje është bërë më 17 nëntor 2020 nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Balla ka ngritur padi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, të cilët i akuzon si përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon 'pastrim të produkteve të veprës penale'. 

 

klodiana lala genc ruli

Sondazh

Poll