Politike

Biblioteka 'Gabriel Garcia Marquez' hap dyert në Barcelonë, Bushati: Investimi tek dija, mënyra për të shpëtuar të rinjtë nga jeta si kumar

Ai shton se është koha që qytetet tona të inspirohen nga shembulli i Barcelonës duke investuar tek hapësirat publike që zhvillojnë dijen, bëjnë sportin masiv dhe nxisin jetën komunitare.

25 Shtator 2022, 11:12 Nga F.M
Biblioteka 'Gabriel Garcia Marquez' hap dyert në Barcelonë,
Biblioteka

SPANJË- Biblioteka ‘Gabriel Garcia Marquez’, që mban emrin e novelistit kolumbian ka hapur dyert në Barcelonë të Spanjës. Fotot e bibliotekës janë publikuar nga ish-ministri Ditmir Bushati, i cili shkruan se investime të tilla e mbajnë rininë të angazhuar dhe nuk e bëjnë të braktisë vendin. Bushati shton se dija është fusha kryesore ku duhet investuar në mënyrë që të rinjtë të shpëtohen nga veset dhe jeta si në një kumar. Ai shton se është koha që qytetet tona të inspirohen nga shembulli i Barcelonës duke investuar tek hapësirat publike që zhvillojnë dijen, bëjnë sportin masiv dhe nxisin jetën komunitare.

Postimi i Bushatit:

Një shembull frymëzimi për një të dielë të paqtë  Biblioteka Gabriel Garcia Marquez sapo u hap në një lagje të Barcelonës, ku jetojnë kryesisht punëtore. Është mbresëlënës investimi i qyteteve tek dija dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, pavarësisht prejardhjes shoqërore. Ky është lloji i investimit që të bën të pyesësh veten pse qytetet tona nuk i japin banorëve hapësirat e duhura publike.
Investimi tek dija është mënyra më e mirë për të shpëtuar të rinjtë nga veset dhe jeta si në një kumar, sikundër për të frenuar largimin e tyre nga Shqipëria. Mungesa e investimit tek dija dhe mosndjekja e rrugëve të vështira por të qëndrueshme bën që inteligjenca jonë shpesh të kthehet në dinakëri, sepse ne nuk i mësojmë të rinjve kënaqësine e sakrificës por joshjen e përfitimit. Para disa vitesh Korça u bë pionere e ndërtimit të “Qytezës së Fëmijëve” me palestër sportive, kënd lojrash, bibliotekë, amfiteatër, kinema, pavion ku mësohen vegla muzikore dhe ku zhvillohen kurse për pikturë, design dhe kodim. Është koha që qytetet tona të inspirohen nga shembulli i Barcelonës duke investuar tek hapësirat publike që zhvillojnë dijen, bëjnë sportin masiv dhe nxisin jetën komunitare.
Fati i fëmijeve tanë përcaktohet sot!

ditmir bushati gabriel garcía márquez

Sondazh

Poll