Politike

'Territorialja'/ Denaj: Ekspertët duan më shumë kohë. Çupi: Doni ta zvarrisni çështjen

Dhurata Çupi u shpreh se mazhoranca do ta zvarrisë çështjen dhe kërkon që të miratohet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

20 Shtator 2022, 14:14 Nga A.B
'Territorialja'/ Denaj: Ekspertët duan më shumë
Komisioni

TIRANË- Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës Territoriale u shoqërua me debate. Dy bashkëkryetaret e Komisionit, kanë pasur debate pasi Dhurata Çupi u shpreh se mazhoranca do ta zvarrisë çështjen dhe kërkon që të miratohet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Denaj i tha që ekspertët kërkojnë më shumë kohë për të kryer analiza. Deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Duke u shpreh se duhet t'i kërkohet presidentit rezultati i komisionit e më pas të bëhet shpallja për datën e zgjedhjeve.

PJESË NGA DEBATI:

Anila Denaj: Kërkohet më shumë që ekspertët dhe komisionet të analizojnë më mirë çështjen dhe që të bëhet në disa ditë dhe seanca dëgjimore për territorialen. Ja dërgojmë që sot Kuvendit për seancën plenare të së enjtes

Dhurata Çupi: Doni ta zvarrisni. Duhet të miratohet reforma për zgjedhjet e ardhshme lokale. Pritet dekreti i presidentit për zgjedhjet e ardhshme. Ekspertët tanë dhe ne jemi të gatshëm të rrimë deri në datën 30 për këtë çështje dhe të dorëzojmë në kuvend raportin brenda afatit. Ju nuk e keni seriozisht, po talleni me shqiptarët dhe nuk i pyesni fare. E papërgjegjshme dhe jo serioze kjo që deklaroni.  Ju doni reformë për të PS, që ti merrni zgjedhjet në tavolinë.

Vangjel Dule: Është e thjeshtë për t'u kuptuar, që me shumicë votash do votohet dhe do bëhet siç dëshiron mazhoranca me dhunën e votave. Jemi dakord t’i kërkojmë presidentit të presë rezultatin e komisionit e më pas të shpalli datën e zgjedhjeve.

Opozita kërkon shtimin e Bashkive në 92, dhe reduktimin e rajoneve në 6. Mazhoranca i qëndron ndarjes aktuale, 61 bashki dhe 12 qarqe.

Cilat janë propozimet e reja?

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë rifutur në debat përsa i përket Reformës Territoriale. Kjo pasi selia rozë i qëndron ndarjes aktuale territorial të Shqipërisë, ndërsa ajo blu ka bërë një tjetër propozim. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe. Ndërsa, Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike që mbështesin Enkelejd Alibeajn propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe, Grupi i PD propozon rigrupimin në 6 rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë. Disa nga bashkitë që shtohen janë si më poshtë: Bashkia Sukth; Bashkia Fushë-Krujë; Bashkia Farkë; Bashkia Ndroq, ndërkohë Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz; Bashkia Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.

komisioni i territoriales anila denaj dhurata cupi

Sondazh

Poll