Politike

PD akuza Bashkisë Tiranë: Shpenzon 3 herë më shumë për çdo ndërhyrje në një objekt arsimor

Sipas PD-së, vjedhjet, keqmenaxhimi dhe abuzimet kanë detyruar familjet shqiptare të braktisin vendin në kërkim të shpresës drejt perendimit.

20 Shtator 2022, 12:04 Nga n.m.
PD akuza Bashkisë Tiranë: Shpenzon 3 herë më shumë
Akil Kraja

TIRANË- Partia Demokratike thotë se rënia e nxënesve në shkollat e vendit, dhe kryesisht në ato të Tiranës, nuk është e rastësishme. Përmes anëtarit të Këshillit Kombëtar, Akil Kraja, selia blu thekosn se nga viti 2013, numri i nxënësve, gjimnazistëve e studentëve të regjistruar në sistemin arsimor shqiptar ka një tkurrje prej 208,426 personash. Sipas tij, vjedhjet, keqmenaxhimi dhe abuzimet kanë detyruar familjet shqiptare të braktisin vendin në kërkim të shpresës drejt perendimit. Partia Demokratike akuzon Bashkinë e Tiranës, ku thekson se ka shpenzuar tre herë më shumë se nevoja në projektet e ndërhyrjes për rindërtimin e shkollave, të cilat u dëmtuan në tërmetin e vitit 2019.

"Në kuadër të buxhetit për rindërtimin e shkollave pas tërmetit të vitit 2019, rezulton se Bashkia Tiranë shpenzon 3 herë më shumë për cdo ndërhyrje ne një objekt arsimor", thuhet në deklaratë.

Deklaratë e plotë:

Prej vitit 2013, numri i nxënësve, gjimnazistëve e studentëve të regjistruar në sistemin arsimor shqiptar ka rënë me 208,426 vetë.

Janë dhjetëra mijëra fëmijë të cilët kanë emigruar së bashku me familjet e tyre. Në vitin shkollor që sapo filloi, në klasë të parë u regjistruan vetëm 20.235 fëmijë, 3 herë më pak sesa regjistroheshin dy dekada më herët.

Shifrat janë alarmante!

Shqipëria po zbrazet masivisht!

Shqipëria është në rrezik!

Po përse familjet shqiptare nuk besojnë që fëmijët e tyre mund të mirë-arsimohen në Shqipëri? Përgjigja është vetëm një. Sepse në Shqipëri pushtetarët duan të nxjerrin pará nga gjithçka, nga inceneratorët e deri te shkollat e fëmijëve tuaj, jo të fëmijëve të tyre, sepse ata të vetë i çojnë në shkollat e Londrës, Nju Jorkut e Berlinit.

Në krye të shembujve të hajdutërisë dhe makutërisë qëndron Bashkia Tiranë. Në kuadër të buxhetit për rindërtimin e shkollave pas tërmetit të vitit 2019, rezulton se Bashkia Tiranë shpenzon 3 herë më shumë për cdo ndërhyrje ne një objekt arsimor.

Kështu, nëse Bashkimi Europian shpenzon rreth 680.000 euro për objekt, Bashkia Tirane shpenzon 2.173.000 euro. Kjo vlerë është 3 herë më e lartë se dhe vetë mesatarja për objekt arsimor realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institution nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Pas fasadave të bukura fshihen abuzime nga më të shëmtuarat.

1.Shkolla “Sami Frashëri: 4,7 mln Euro (Pa TVSH) 5,7 mln Euro (me TVSH)
2.Shkolla “Qazim Turdiu” 3 mln Euro (pa TVSH) 3,6 mln Euro (me TVSH)
3.Shkolla “Hasan Vogli” 2,2 mln Euro (pa TVSH) 2,7 mln Euro (me TVSH)
4.Shkolla 9 vjecare Dritas (Zall Herr) 1,8 mln Euro (pa TVSH) 2.2 mln Euro (me TVSH)
5.Shkolla “Bedri Llagami” Vaqarr1,65 mln Euro (pa TVSH) 2 mln Euro (me TVSH)
6.Shkolla “17 shkurti” Qesarak 1.6 mln Euro (pa TVSH)

Por nuk mbaron me kaq. Bashkia e inceneratorit, që nuk ekziston ka vetëm një standard, abuzimin nëpërmjet skemave me PPP, si në landfillin e Sharrës, ashtu në mes të Tiranës, si me plehrat, ashtu me shkollat.

Njësoj si me fondet e rindërtimit post-tërmet, edhe skema e ndërtimit të 17 shkollave të reja në Tiranë nëpërmjet një PPP-je të dyshimtë, dëshmon për të njëjtat abuzime.

Banorët e Tiranës do të paguajnë 3.7 milion Euro për godinë shkollore, ose 5 herë më shumë sesa i kushton Bashkimit Europian një godinë e tillë.

Në total, PPP-ja e shkollave të reja do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës 65 milion Euro.

Miliona euro që merren nga një taksë bashkiake për arsimin, e cila mbulon jo vetëm fitimet e koncencionarit të PPP-së, por edhe një interes prej 6. 5 % mbi vlerën e investimit për sipërmarrësin.

Mos u besoni kur rrëmbejnë fëmijën e parë që u del para për të bërë foto publicitare. Sa u jepet rasti e vjedhin mësuesin, prindin dhe të njëjtin fëmijën që përqafuan  një ditë më parë.

akil kraja erion veliaj ndertimet ne tirane

Sondazh

Poll