Aktualitet

Para zhdukjes Ervis Martinaj iku drejt Kosovës, Austria dhe Spanja destinacione 'të preferuara'

Euronews Albania ka siguruar foton dhe të dhëna nga sistemi TIMS, ku para shpalljes në kërkim Martinaj figuron të ketë patur dalje të shpeshta në Kosovë.

14 Shtator 2022, 16:00 Nga k.m.
Para zhdukjes Ervis Martinaj iku drejt Kosovës, Austria dhe Spanja
Ervis Martinaj

TIRANË- “Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra. Zgjidheni këtë mister,”-ky është objektivi që i vuri kryeministri Edi Rama kryepolicit të ri, Muhamet Rrumbullakut për dosjen e Ervis Martinajt. 1 javë më pas Policia e Shtetit, ende nuk e ka një përgjigje për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Madje nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për të sqaruar se çfarë po hetohet dhe kë kanë marrë në pyetje për të zbardhur misterin që prej javësh po mbulon dosjen. E po ashtu edhe Jeton Lami, personi që pati i fundit kontakt me të zhdukurin, ende nuk ka folur. Të paktën nuk ka asnjë të dhënë që ka thënë gjithë çfarë ka ditur për itinerarin e fundit të Martinajt. 

Në hetime është angazhuar edhe sektori i krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme pasi prokuroria e Kurbinit po e heton çështjen për rrëmbim personi. Por duket se Martinaj, para se të zhdukej, edhe pse në kërkim lëvizte lirshëm jo vetëm në Shqipëri. Por edhe jashtë vendit. 

Euronews Albania ka siguruar foton dhe të dhëna nga sistemi TIMS, ku para shpalljes në kërkim Martinaj figuron të ketë patur dalje të shpeshta në Kosovë. Madje, në këtë periudhë në rrugë operative policia disponon të dhëna për udhëtime të tij edhe drejt Spanjës e Austrisë. Kosovë, Spanjë dhe Austri! Këto kanë qenë lëvizjet më të shpeshta të tij jashtë vendit.

Arsyeja? Nuk dihet. Por gjithashtu nuk dihet se me çfarë dokumentesh ka dalë Martinaj nga Shqipëria, edhe pse nuk përjashtohet mundësia për dokumente të falsifikuara. Të tilla mund të jenë përdorur edhe për zhdukjen e tij, pasi paralelisht me pistën e rrëmbimit, Policia po heton edhe një inskenim të mundshëm.

Që nga maji i këtij viti, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi. 

ervis martinaj zhduket ervis martinaj

Sondazh

Poll