Aktualitet

Sulmi kibernetik nga Irani, BE: Po monitorojmë situatën, jemi krah Shqipërisë

BE thekson se do monitorojnë situatën me kujdes e se janë në të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm.

9 Shtator 2022, 09:09 Nga A.B
Sulmi kibernetik nga Irani, BE: Po monitorojmë situatën, jemi krah
BE

BRUKSEL- Bashkimi Evropian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë. BE dënon “një sjellje të tillë të papranueshme në hapësirën kibernetike, e cila bie ndesh me normat e pranuara të sjelljes së përgjegjshme të shtetit, mbështetur në mënyrë të përsëritur nga të gjitha Shtetet Anëtare të OKB-së.”

Duke deklaruar se janë në mbështetje të plotë të Shqipërisë, BE thekson se do monitorojnë situatën me kujdes e se janë në të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm.

DEKLARATA E PLOTË E BE:

Bashkimi Evropian, së bashku me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, shpreh solidaritet të plotë me Shqipërinë dhe shqetësim pas aktiviteteve keqdashëse kibernetike të korrikut. Sulmi shënjestroi drejtpërdrejt infrastrukturën kritike dhe ndikoi në ofrimin e shërbimeve publike për njerëzit dhe bizneset në Shqipëri. Ne dënojmë fuqimisht një sjellje të tillë të papranueshme në hapësirën kibernetike, e cila bie ndesh me normat e pranuara të sjelljes së përgjegjshme të shtetit, mbështetur në mënyrë të përsëritur nga të gjitha Shtetet Anëtare të OKB-së. Një sjellje e tillë destabilizuese dhe e papërgjegjshme që synon të kërcënojë integritetin dhe sigurinë e Shqipërisë, vlerat dhe parimet demokratike, si dhe tenton të minojë institucionet demokratike dhe shoqëritë në përgjithësi, është e papranueshme.

Bashkimi Evropian, së bashku me NATO-n dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, është i gatshëm të mbështesë qëndrueshmërinë kibernetike të Shqipërisë mbështetur në bashkëpunimin tonë ekzistues për sigurinë kibernetike. Në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike dhe Busullën Strategjike, Bashkimi Evropian është i vendosur të parandalojë sulmet kibernetike përmes qëndrueshmërisë së shtuar dhe duke iu përgjigjur me vendosmëri sulmeve kibernetike kundër BE-së dhe Shteteve Anëtare, si dhe është i përkushtuar të ndihmojë për ndërtimin e qëndrueshmërisë së sigurisë kibernetike në vendet kandidate dhe në vende të tjera, duke përdorur të gjitha mjetet e disponueshme të BE-së. Ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën me kujdes dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, aty ku është e nevojshme, për të mbështetur Shqipërinë.

Shqipëria vendosi ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Vendimi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama, i cili konfirmoi me zë e figurë që Irani ka sulmuar të dhënat e shtetit shqiptar. Ai i dha 24 orë kohë trupës diplomatike të Ambasadës së Iranit që të largohet nga vendi ynë. Sipas Ramës, Irani kishte kontraktuar 4 grupe për të kryer sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, ngjarje e ndodhur gjatë muajit korrik, ku shërbimet online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht.

irani sulmon shqiperine

Sondazh

Poll