Bota

Argjentinë: 6 të vdekur nga pneumonia e shkaktuar nga bakteri Legionella, çfarë e shkaktoi?

Të gjitha rastet janë të lidhura me një klinikë private në San Miguel de Tucuman, pasi shumica e pacientëve ishin pjesëtarë të stafit infermieror në klinikën private, ndërsa një pacient ishte një 70-vjeçar i cili kishte kryer operacionin atje.

5 Shtator 2022, 10:12 Nga k.m.
Argjentinë: 6 të vdekur nga pneumonia e shkaktuar nga bakteri
Foto ilustruese

ARGJENTINË- Numri i pacientëve që vdiqën në Argjentinë për shkak të pneumonisë së shkaktuar nga bakteri Legionella tani ka shkuar në 6 persona. Viktima e gjashtë ishte një burrë 81-vjeçar, i cili kishte sëmundje shoqëruese dhe ishte intubuar në gjendje kritike.

Gjithsej 11 persona kanë shfaqur simptoma dhe pesë janë ende duke u trajtuar në spitale. Të gjitha rastet janë të lidhura me një klinikë private në San Miguel de Tucuman, pasi shumica e pacientëve ishin pjesëtarë të stafit infermieror në klinikën private, ndërsa një pacient ishte një 70-vjeçar i cili kishte kryer operacionin atje.

Agjenti që shkaktoi pneumoninë dypalëshe "është Legionella", tha të shtunën Ministrja e Shëndetësisë e Argjentinës Carla Vicotti gjatë një konference, duke shtuar se përpjekja për të identifikuar llojin e saktë të saj është në vazhdim.

Testet fillestare përjashtuan COVID, gripin, gripin A dhe B, Hantavirusin (s.b.: i transmetuar nga brejtësit) dhe dhjetëra mikrobe të tjera si shkaktarë të pneumonisë dypalëshe. Mostrat u dërguan për t'u analizuar urgjentisht nga laboratori kombëtar i referencës, Instituti Malbran në Buenos Aires; ku u zbulua dhe virusi. Legionella është një infeksion serioz i mushkërive me origjinë bakteriale. Infeksioni mund të ndodhë nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, pasi bakteri merret nëpërmjet ujit ose ajrit të kondicionuar.

Në klinikë po merren mostra për të konstatuar nëse bakteri është në ujë dhe në rezervuarin e grumbullimit, apo ka ardhur nga jashtë. Por "e mira" është që kontaktet e afërta të të prekurve nuk paraqesin asnjë simptomë./CNN

argjentine

Sondazh

Poll