Bota

Ministria dhe Sindikata me thirrje të kundërta, nuk dihet nëse do të fillojë mësimi sot në Kosovë

Edhe pas një takimi të zhvilluar mes palëve në zyrën e presidentes së vendit Vjosa Osmani ende nuk ka një marrëveshje dhe ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit kanë bërë thirrje të ndryshme.

5 Shtator 2022, 09:24 Nga d.a.
Ministria dhe Sindikata me thirrje të kundërta, nuk dihet nëse do
klase

KOSOVË- Ende mbetet e paqartë nëse ditën e sotme do të vijojë greva e arsimtarëve në Kosovë apo do të nisë procesi mësimor i cili duhet të kishte filluar që më 1 shtator.

Edhe pas një takimi të zhvilluar mes palëve në zyrën e presidentes së vendit Vjosa Osmani ende nuk ka një marrëveshje dhe ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit kanë bërë thirrje të ndryshme.

Përmes një komunikate, të dielën, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci ka bërë thirrje mësimdhënëseve që të nisin punë normalisht ditën e sotme.

Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mësimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, thuhej në komunikatë.

Madje edhe nga Komuna e Podujevës, drejtori i arsimit, Avni Fetahu ka thënë se greva do të ndërpritet. Ai referencë e ka marrë deklarimin e tri shkollave në Podujevë për ndërprerjen e grevës. Edhe komunat e tjera ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosja, Gjilani, Kamenica dhe Shtimja, do të nisin procesin mësimor.

Por Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës vijon të mbajë të njëjtin qëndrim duke u shprehur se greva do të vijojë dhe ditën e sotme deri në plotësimin e kërkesave nga qeveria e Kosovës.

I lus prindërit të mos i dërgojnë nesër fëmijët në shkollë”,- tha ai në një intervistë ditën e djehsme.

Greva ka nisur më 25 gusht dhe ka ardhur si pasojë e mos realizimit të kërkesave të SBASHK-ut nga Qeveria e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe kërkesa për shtesën prej 100 euro për përballimin e inflacionit deri në Ligjin për Paga. Ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci të mërkurën u ka kërkuar mësimdhënësve që të ndërpresin grevën ndërkohë që kryeministri Albin Kurti nuk ka patur asnjë reagim zyrtar.

greva e arsimtareve ne kosove

Sondazh

Poll