Politike

Berisha zbulon arsyen: Gledis Nanon e "hëngri" mafia, viktimë e zbulimit të lidhjeve me krimin të Olsit dhe Çuçit

Sali Berisha shkruan se në fakt Nano u largua pasi zbuloi lidhjet kriminale të vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama dhe të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

31 Gusht 2022, 20:06 Nga k.m.

Berisha zbulon arsyen: Gledis Nanon e "hëngri" mafia,

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë versionin e tij për arsyen e shkarkimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Berisha shkruan se në fakt Nano u largua pasi zbuloi lidhjet kriminale të vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama dhe të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

"Gledis Nano, viktimë e zbulimit të lidhjeve të freskëta me krimin të Olsit dhe Çuçit. Të dashur miq, Drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Gledis Nano e hëngri mafia Rama-Çuçi. Ai u shkarkua pa asnjë shkak direkt madhor. Në mjediset e mafjas shtetërore, gosipi u përhap se Nano iku se kishte zbuluar dhe paditur lidhje të rrezikshme të Ardi Veliut dhe kupolës tjeter të policisë me trafikantë droge dhe shpërblime të mëdha prej tyre. Mirëpo, burime tjera të thella pohojnë se Nano nuk u largua se zbuloi lidhjet e njohura të krimit të Veliut dhe kupolës tjeter të policisë por atij i kushtoi koken: 1- Afera e Olsi Ramës me Call-center në të cilën qytetarë gjermanë humbën miliona euro në skemë mashtrimi nga call center i Tiranës. Nano po bashkëpunonte në hetimin nga të huajt të kësaj çeshtjeje përvëluese për këndin Rama. 2- Gledis Nano me autoritetet Italiane gjetën se ngarkesa e fundit prej 2,2 ton kanabis është transportuar me anije të klubit të velave të velistit të apasionuar, ministrit të familjes Çuçi. Ndaj dhe mafia Rama-Çuçi e flakën atë si limon të shtrydhur,"-shkruan Berisha.

Gledis Nanos iu kërkua të jepte dorëheqjen dhe përmes një procedure pa zhurme do të bëhej kalimi i detyrës nga ai tek Muhamet Rrumbullakut. Por çuditërisht, ndryshe nga paraardhësit e tij, Nano nuk pranoi. Këmbëngulja e tij i la radhën një shkarkimi përmes të cilit ministri i Brendshëm e bëri sot përgjegjës për disa ngjarje, përfshirë zhdukjen e Ervis Martinajt dhe ngjarjen e Himarës.

Kabineti e shkarkoi Nanon pas 10 muajve qendrim në detyrë dhe një "lobimi" të fortë nga Ambasada Amerikane, që i dha certifikatë para se të emërohej dhe e ka mbajtur si partner të fortë në Shqipëri. 

sali berisha gledis nano shkarkohet gledis nano

Sondazh

Poll