Bota

Franca akuzon Rusinë për furnizimin me gaz ndërsa afrohet mbyllja e Nord Stream

Franca akuzoi Moskën të martën për përdorimin e furnizimeve me energji si "një armë lufte" pasi Gazprom i Rusisë ndërpreu furnizimet për atë dhe tha se do të mbyllte tubacionin e saj kryesor të gazit për në Gjermani për tre ditë.

30 Gusht 2022, 18:37 Nga s.s
Franca akuzon Rusinë për furnizimin me gaz ndërsa afrohet mbyllja
Rusi-Francë

FRANCË- Franca akuzoi Moskën të martën për përdorimin e furnizimeve me energji si "një armë lufte" pasi Gazprom i Rusisë ndërpreu furnizimet për atë dhe tha se do të mbyllte tubacionin e saj kryesor të gazit për në Gjermani për tre ditë këtë javë. Qeveritë evropiane po përpiqen të kordinojnë një përgjigje ndaj rritjes së kostove të energjisë për bizneset dhe familjet dhe të mbushin objektet e magazinimit përpara kërkesës maksimale në dimër.

Vendet perëndimore kanë frikë se Moska po i rrit qëllimisht çmimet e gazit në përpjekje për të dobësuar kundërshtimin e tyre ndaj pushtimit të Ukrainës, një taktikë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti të hënën "terrorizëm ekonomik", por Moska e ka mohuar këtë akuzë. Nord Stream 1, kanali kryesor i gazit rus në Evropë, është kthyer në një pikë ndezjeje në mosmarrëveshje. Evropa përballet me një shtrëngim të mëtejshëm të furnizimeve këtë javë pasi Gazprom mbyll tubacionin për mirëmbajtje nga e mërkura deri në orët e para të së shtunës, raporton Reuters.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të martën se problemet teknologjike të shkaktuara nga sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë e vetmja gjë që pengon furnizimin me gaz. Por, Ministrja e Tranzicionit të Energjisë së Francës, Agnes Pannier-Runacher tha: "Shumë qartë Rusia po përdor gazin si një armë lufte dhe ne duhet të përgatitemi për skenarin më të keq të një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve". Ajo po fliste për radion France Inter pasi kompania franceze Engie tha se do të merrte më pak gaz nga Gazprom nga e marta për shkak të një mosmarrëveshjeje kontraktuale të papërcaktuar.

I pyetur nëse ka garanci që Gazprom do të rifillojë rrjedhën e gazit përmes Nord Stream 1, Peskov i Kremlinit tha: "Ka garanci që, përveç problemeve teknologjike të shkaktuara nga sanksionet, asgjë nuk mund ta pengojë furnizimin". Ministrat e energjisë të BE-së do të mbajnë një takim urgjent më 9 shtator për të diskutuar për krizën.

Gjermania, shteti me ekonominë më të madhe në Evropë, është e hapur për të diskutuar një skemë të çmimeve për furnizimet me gaz në nivel evropian, tha një burim në Itali, duke cituar një mesazh teksti që ministri gjerman i ekonomisë i dërgoi kolegëve të tij në mbarë bllokun. Kryeministri italian Mario Draghi ka kërkuar një kufizim të çmimit dhe gjithashtu ka kërkuar hapa për të shkëputur koston e energjisë elektrike nga çmimi i gazit. Një veprim i tillë do t'u mundësonte familjeve evropiane të përfitojnë nga energjia elektrike e prodhuar nga burime më të lira, siç janë burimet e rinovueshme. Shefi ekzekutiv i firmës gjermane të energjisë Wintershall Dea tha të martën se nivelet aktuale të çmimeve nënkuptonin se kërkesa për gaz do të binte në terma afatgjatë.

 

france gjermani rusi

Sondazh

Poll