Politike

Vizita 2 ditore në Kosovë/ Begaj refuzon të shkojë në zyrat e tyre, LDK: Keqardhje, jemi të habitur

Begaj ka refuzuar t’i takojë drejtuesit e LDK-së në selinë e partisë

16 Gusht 2022, 11:17 Nga A.B
Vizita 2 ditore në Kosovë/ Begaj refuzon të shkojë në
Bajram Begaj

KOSOVË- Vizita dy ditore e presidentit shqiptar, Bajram Begaj në Kosovë është shoqëruar me një pakënaqësi nga ana e LDK-së. Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Express, se Begaj ka refuzuar t’i takojë drejtuesit e LDK-së në selinë e partisë. LDK ka shprehur keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”, thuhet në përgjigje.

LDK e konsideron qasje të pazakontë refuzimin e Begajt për t’i takuar drejtuesit në zyret e partisë.

“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë.  LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thuhet më tej në reagimin e LDK-së.

Begaj po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë si President i Shqipërisë jashtë vendit. Ai është pritur dje nga Vjosa Osmani, Albin Kurti e Konjufca, ndërsa sot është takuar edhe me drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së.

bajram begaj ne kosove

Sondazh

Poll