Politike

Begaj me Kurtin: Dialogu me Serbinë të përmbyllet me njohje reciproke

Kurti në anën tjetër e ka uruar Begajn për hapjen e negociatave me BE-në dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona.

15 Gusht 2022, 23:05 Nga F.M
Begaj me Kurtin: Dialogu me Serbinë të përmbyllet me njohje
Bajram Begaj dhe Albin Kurti

KOSOVË- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mbështetur masat e reciprocitetit që Kosova i ka vënë Serbisë dhe ka shtuar se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy shteteve. Mediat e Kosovë shkruajnë se në vizitën tek kryeministri Kurti, ai ka përkrahur masat që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë dhe ka shtuar se përkrah aplikimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti në anën tjetër e ka uruar Begajn për hapjen e negociatave me BE-në dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona.

Njoftimi i zyrës së Kurtit lidhur me takimin:

Kryeministri Kurti priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Prishtinë, 15 gusht 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj. Para takimit së bashku me delegacionet, kryeministri Kurti dhe presidenti Begaj zhvilluan një takim tête-à-tête. Duke e uruar për marrjen e detyrës, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës që vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës presidenti Begaj e realizoi në Kosovë. Ai e përgëzoi Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim.

Presidenti Begaj e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit bilateral. Ai shprehu përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Po ashtu, shprehu mbështetjen për vendimet e qeverisë rreth reciprocitetit për targat dhe dokumenteve identifikuese, dhe e përgëzoi kryeministrin për maturinë dhe qetësinë e treguar rreth zhvillimeve të 31 korrikut. Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.

Kjo vizitë e presidentit Begaj në Prishtinë shënon edhe udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që prej momentit kur u zgjodh në postin e Kreut të Shtetit. Begaj u prit nga Osmani me një ceremoni të veçantë, ndërsa u nderua dhe nga Forcat e Armatosura të Kosovës.

bajram begaj albin kurti bajram begaj ne kosove

Sondazh

Poll