Aktualitet

Lundroi me skaf jashtë perimetrit të sigurisë në Potam, ndëshkohet me gjobë nga Policia

Pas pamjeve që u publikuan në rrjete sociale, Policia njofton se është bërë bërë verifikimi i rastit. 

13 Gusht 2022, 13:46 Nga k.m.
Lundroi me skaf jashtë perimetrit të sigurisë në Potam,
Foto ilustruese

HIMARË- 200 mijë lekë gjobë dhe bllokim mjeti lundrues për 5 ditë është masa administrative, me të cilën u ndëshkua pronari i një mjeti lundrues që rrezikoi jetën e pushuesve duke lëvizur me skaf në plazhin e Potamit përtej zonës së kufizuar. Pas pamjeve që u publikuan në rrjete sociale, Policia njofton se është bërë bërë verifikimi i rastit. 

Njoftimi i policisë:

Menjëherë, nga DVKM Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë verifikimi i rastit dhe identifikimi i mjeteve lundruese. Pas verifikimit ka rezultuar se njëri prej mjeteve lundruese (skaf) ka lëvizur përtej zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Himarës është bërë shoqërimi i mjetit lundrues, në Portin e Himarës.

Në bazë të ligjit nr. 43 të vitit 2020, pronari i këtij mjeti, shtetasi P. P., 49 vjeç, banues në Himarë, u ndëshkua me masë administrative 200.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues për 5 ditë, pasi shtetasi P. P. nuk ka respektuar zonën e kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë.

Theksojmë se në vendin ku janë bërë filmimet është i përcaktuar nga bashkia Himarë, korridori për hyrje-daljet e mjeteve lundruese. Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik, dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.

 

potam

Sondazh

Poll