Aktualitet

Pse qelbet Lana? Përgjigjet Bashkia e Tiranës: Derdhen ujrat e zeza

Dosja.al ka kërkuar një përgjigje lidhur me erën që vjen nga lumit dhe masat e marra nga bashkia për të rehabilituar Lanën. Në përgjigjen e marrë nga departamenti i marrëdhënieve me publikun, zgjerimi dhe zhvillimi i qytetit të Tiranës ndër vite ka sjellë dhe një fenomen negativ, atë të derdhjes së kanalizimeve të ujërave të zeza në lumin Lanë, si pika më e ulët e rrjedhjes së ujërave.

11 Gusht 2022, 15:55 Nga k.m.
Pse qelbet Lana? Përgjigjet Bashkia e Tiranës: Derdhen ujrat e zeza
Pamje nga lumi i Lanës

TIRANË- Mbetjet dhe era e keqe që vjen nga bregu i lumit Lana, e bëjnë më të veçantin në Europë. Është kthyer në batutë tashmë era e keqe e lumit, madje nuk po bëhet asgjë për ta ndryshuar, as kur Tirana bëhet "Youth Capital" dhe merr vëmendje shtesë të turistëve si kryeqyteti i rinisë. Por me erë të keqe. Bashkë më pikat turistike që reklamohen në Tiranë, Lana hiqet. Madje i hoqën edhe autobusin që mbeti në mes të lumit pas aksidentit, e që më pas u vendos të qëndronte si instalacion.

S'do i afrohej dot kush për foto nga era e keqe. Aq sa shumëkush do të donte të mos e kishte shqisën e nuhatjes, sidomos në pjesën përballë PD, e tek pallati me shigjeta deri në Astir. Edhe për ekspertët e mjedisit Lumi i Lanës është kthyer në një kanal ujërash të zeza. Gjë që na konfirmohet edhe nga Bashkia e Tiranës.

Dosja.al ka kërkuar një përgjigje lidhur me erën që vjen nga lumit dhe masat e marra nga bashkia për të rehabilituar Lanën. Në përgjigjen e marrë nga departamenti i marrëdhënieve me publikun, zgjerimi dhe zhvillimi i qytetit të Tiranës ndër vite ka sjellë dhe një fenomen negativ, atë të derdhjes së kanalizimeve të ujërave të zeza në lumin Lanë, si pika më e ulët e rrjedhjes së ujërave. Sipas Bashkisë, pastrami është bërë në mënyrë të vazhdueshme nga Drejtoria e Pergjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, por në fakt duhet një disiplinim për shkarkimin e ‘mbeturinave’ në vendin e posaçëm dhe jo në Lumë.

“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se nga Bashkia Tiranë janë bërë ndërhyrje të shumta për rehabilitimin e lumit Lanë siç është së fundmi ndërtimi i segmentit të ri nga materniteti ‘’Koço Glozheli‘’ deri tek ish-Uzina e Autotraktorëve në Shkozë. Në prioritetin e zhvilimit të qytetit të Tiranës është dhe sistemimi i lumit Lanë në segmentin poshtë Rrugës së Kavajës (pallati me shigjeta) deri ne Kashar. Zgjerimi dhe zhvillimi i qytetit të Tiranës ndër vite ka sjellë dhe një fenomen negativ, atë të derdhjes së kanalizimeve të ujërave të zeza në lumin Lanë, si pika më e ulët e rrjedhjes së ujërave. Ky është një shqetësim për pushtetin vendor dhe banorët e qytetit të Tiranës. Disiplinimi i shkarkimeve të kanalizimeve të ujërave të zeza do të realizohet me ndërtimin e impiantit të pastrimit të këtyre ujërave, i cili është në proces investimi dhe ndërtimi. Pastrimi dhe riparimi i shtratit të lumit Lanë është kryer në mënyrë të vazhdueshme nga Drejtoria e Pergjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik të Bashkisë Tiranë. Përmendim këtu pastrimin dhe transportin e mbetjeve në kryqëzimin e lumit Lanë me Rrugën e Kavajës, i cili realizohet dy herë në vit. Gjithashtu realizojmë dhe riparimin e skarpatave dhe bazamentit të shtratit të lumit Lanë gjatë gjithë gjatësisë në pjesën e sistemuar, si dhe pastrimin dhe sistemimin e Lanës me mjete gërmuese sa herë që lind nevoja në segmentin e pa sistemuar. Lutemi në mirëkuptimin tuaj deri në dhënien e një zgjidhje përfundimtare!,”-përgjigjia e plotë nga Bashkia e Tiranës.

Raporti i Gjendjes në Mjedis në vitin 2020 tregoi se Uji i Lanës është në gjendje shumë të keqe pasi vlerat e ujit rezultojnë në vlera më të ulëta se normat e lejuara. Ndër burimet kryesore të ndotjes janë ujërat e zeza, detergjentet larës, ujërat industriale dhe mbetjet e ngurta.Tirana është i vetmi kryeqytet në rajon që nuk i trajton mbetjet e ujërave të zeza, ndërsa vendet e tjera përdorin impiante përpunimi. Ne ende durojmë erën që vjen nga lumi.

lumi i lanes

Sondazh

Poll