Bota

Biden do nënshkruajë urdhrin e dytë ekzekutiv për të mbrojtur mundësinë e abortit

Direktiva pajis agjencinë e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA për të zgjeruar mbulimin për pacientët që kërkojnë kujdes jashtë shtetit

3 Gusht 2022, 12:06 Nga s.s
Biden do nënshkruajë urdhrin e dytë ekzekutiv për të
Joe Biden

SHBA- Presidenti Joe Biden planifikon të nënshkruajë një urdhër të dytë ekzekutiv të mërkurën, që synon të adresojë vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për t'i dhënë fund të drejtës kushtetuese mbarëkombëtare për abortin, pasi ai përballet me presionin nga demokratët për të qenë më i fuqishëm në këtë çështje. Urdhri i tij pritet të ketë ndikim të kufizuar, pasi shtetet e SHBA-së miratojnë një valë ligjesh që kufizojnë abortin, aksesin në mjekim dhe financim për shërbime të tilla.

Muajin e kaluar, Biden tha se gjykata ishte "jashtë kontrollit" pasi vendosi në qershor për të rrëzuar Roe Wade, duke i dhënë fund një gjysmë shekulli mbrojtjeje për të drejtat riprodhuese të grave. Urdhri i tij i parë në fillim të korrikut udhëzoi departamentin e shëndetësisë të qeverisë federale që të zgjerojë aksesin ndaj abortit me ilaçe dhe të sigurojë që gratë që udhëtojnë për aborte janë të mbrojtura. Veprimi i fundit bazohet në këto masa, dhe si i pari mbetet i paqartë se si mund të arrihet. Ai drejton Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore që të konsiderojë përdorimin e fondeve duke përfshirë Medicaid për të mbështetur gratë që udhëtojnë jashtë shtetit për shërbime aborti, tha një zyrtar i lartë i administrates, raporton Reuters.

Presidenti do të nënshkruajë urdhrin në takimin e parë të task-forcës ndër institucionale për aksesin në kujdesin shëndetësor riprodhues, i cili u formua në korrik. Demokratët e Senatit hodhën poshtë thirrjen e Biden për të hequr rregullin "filibuster" të dhomës që kërkon që 60 nga 100 senatorë të bien dakord për shumicën e legjislacionit për t'i lejuar ata të miratojnë një ligj që përcakton të drejtën kombëtare për abortin. Filibuster është një proçedurë politike ligjore me të cilën anëtarët e Senatit janë në gjendje të mbajnë votimin për një projekt-ligj duke zgjatur debatin dhe duke refuzuar të japin fjalën.

Në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris mund të hedhë një votë barazimi. Prej asaj kohe, Biden i është drejtuar nxitjes së votuesve që të zgjedhin më shumë demokratë në Kongres në zgjedhjet afatmesme të 8 nëntorit, kur republikanët janë të favorizuar për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat. Demokratët shpresojnë se kjo çështje mund të ndihmojë në nxitjen e votuesve drejt qendrave të votimit në nëntor. Mbrojtja e të drejtave të abortit është një çështje kryesore për gratë demokrate, tregon sondazhi i Reuters. Më shumë se 70% e amerikanëve mendojnë se çështja duhet t'i lihet një gruaje dhe mjekut të saj. Të martën, Departamenti i Drejtësisë i Biden-it paditi Idahon për të bllokuar një ligj shtetëror për të cilin tha se vendos një "ndalim pothuajse absolut" për abortin, duke shënuar sfidën e tij të parë ligjore ndaj ligjeve shtetërore të abortit që nga vendimi i Gjykatës së Lartë.

joe biden abort

Sondazh

Poll