Politike

Tragjedia në Himarë, Rama: Nongratat po e kthejnë në motiv lufte politike

Tragjedia e Himarës, reagon kryeministri Edi Rama.

3 Gusht 2022, 12:05 Nga A.B
Tragjedia në Himarë, Rama: Nongratat po e kthejnë në motiv
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe një herë për tragjedinë që ndodhi ditën e djeshme në plazhin e Potamit, aty ku humbi jetën nga përplasja me skaf, vogëlushja Jonada Avdia. Përmes një statusi të gjatë në 'Twitter', Rama deklaron se ky është sezoni me i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik që ka pasur ndonjëherë vendi. Duke lënë pas këto lavdërime, Rama kërkon dënimin maksimal për autorin, ish-shefin e Komisariatit të Himarës Arjan Tases.

Po ashtu, Rama nuk la pa përmendur dhe opozitën. Ai akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën të cilit i referohet me termin 'non grata' se po kthen në motiv lufte politike vdekjen e vogëlushes. Sipas Ramës, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, përdoret nga opozita në këtë mënyrë. Rama i quan vampirë mediatikë e politikë, që sipas tij, s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar. Ndërsa për shkarkimet që u bënë në forcat e policisë së Vlorës, kreu i qeverisë i quan hapa të duhur.

REAGIMI I PLOTË I RAMËS:

Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër,ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s'lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër! Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s'ekzistonin!

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor,janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë! Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre! Uroj edhe njëherë që drejtësia t'i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga gomonia teksa po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.

edi rama vdes femija ne himare

Sondazh

Poll