Bota

Situata në Veri, Kurti: Dhuna nuk do të tolerohet, presim heqjen e barrikadave

Gjatë fjalës së tij Kurti tha se “dhuna nuk do të tolerohet”, ndërsa njoftoi paraprakisht se ka pasur nëntë barrikada dhe njerëz të armatosur që kanë ndaluar automjete e këmbësorë.

1 Gusht 2022, 13:15 Nga DOSJA
Situata në Veri, Kurti: Dhuna nuk do të tolerohet, presim heqjen e
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka folur për zhvillimet e mbrëmshme në veri të vendit, në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Gjatë fjalës së tij Kurti tha se “dhuna nuk do të tolerohet”, ndërsa njoftoi paraprakisht se ka pasur nëntë barrikada dhe njerëz të armatosur që kanë ndaluar automjete e këmbësorë.

“Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështet i gjithë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se pati shkelje të shumta të ligjit me të cilat tha se po merret Policia e Prokuroria dhe fatmirësisht nuk ka patur të lënduar nga të shtënat.

Kurti tha se “pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak mbeten ende të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpiejnë atje”. Ai përsëriti zotimin se zbatimi i vendimeve të Qeverisë do të shtyhet kur të hiqen barrikadat.

“Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha barrikadat”, tha Kurti.

Në pikat tjera kufitare, Kurti njoftoi se po shpërndahet dokumenti për hyrje-dalje.

Veriu i Kosovës është përfshirë nga tensionet pasi qeveria e Kosovës paralajmëroi se duke nisur nga 1 gushti qytetarët serb që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës). Po ashtu, nga sot u tha se të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia. Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh. Pas tensioneve dhe kërkesës së SHBA, Kurti vendosi shtyrjen me një muaj të këtij vendimi.

albin kurti tensione per reciprocitetin

Sondazh

Poll