Politike

Deklaratat e Vuçiç për Kosovën, Berisha: Putin i vogël, ai u zotua për ‘reagim’ vdekjeprurës ndaj Kosovës

Deklaratat kërcënuese të Vuçiç kanë ardhur sot, pasi Kosova nga nesër nuk do të njohë dokumentet serbe dhe pas dy muajsh do të ndalojë përdorimin e targave serbe.

31 Korrik 2022, 14:50 Nga A.B
Deklaratat e Vuçiç për Kosovën, Berisha: Putin i
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar kërcënimet e bëra ditën e sotme nga Aleksandër Vuçiç i cili ka kërcënuar se do të sulmojë Kosovën, nëse zbatohen marrëveshjet e arritura mes dy shteteve vite më parë. Deklaratat kërcënuese të Vuçiç kanë ardhur sot, pasi Kosova nga nesër nuk do të njohë dokumentet serbe dhe pas dy muajsh do të ndalojë përdorimin e targave serbe.

REAGIMI I BERISHËS:

Reagimi si Putini i vogël i Aleksandër Vuçiçit. Të dashur miq, serbomadhi Vuçiç u zotua në fillim të korrikut për ‘reagim’ vdekjeprurës ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit, barazisë midis dy vendeve në përdorimin e letërnjoftimeve dhe targave të automjeteve, duke bërë të detyrueshëm përdorimin nga qytetarët e Kosovës të targës së Republikës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, pavarësisht origjinës etnike të tyre. Shtoj këtu se ky vendim i qeverisë së Kosovës që do të hyjë në fuqi në shtator 2022, bazohet në marrëveshje të firmosur ne Bruksel vite më parë nga qeveritë e te dy vendeve. Pas kërcënimit një muaj më parë për reagim vdekjeprurës ndaj Kosovës, presidenti i Serbomadhesë Vuçiç, sot thirri një konferencë shtypi të jashtëzakonshme në të cilën ai kërcënoi haptas perëndimin duke u shprehur se “nuk beson se doni konflikt në Kosovë’. Dmth sipas tij zbatimi i marrëveshjes nga qeveria e Kosovës do të përdoret nga ai si ‘Casus Beli’, dhe kjo dëshmon qartë se, Aleksandër Vuçiç është një kërcënim i vërtet për paqen dhe stabiliteti në rajon, dhe se ai paraqet një Putin të vogël në Ballkan.

Ky reagim me kërcënim vdekjeprurës dëshmon se nacionalizmi i verbër serb është sot njëlloj si në kohën e Millosheviçit, një fuçi baruti shumë i rrezikshëm për Ballkanin. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e Presidentit të serbomadhisë Aleksander Vuçiç ndaj marrëveshjeve dhe kërcënimin e tij për reagim vdekjeprurës ndaj vendimit legjitim të qeverisë së Republikës së Kosovës, parlajmëroj presidentin e serbomadhisë të lërë kërcënimet dhe të mos guxojë ndonjë akt aventuresk se fati i kasapit të Ballkanit, atit të tij shpirtëror Sllobodan Millisheviç e pret. sb

sali berisha

Sondazh

Poll