Bota

Raportohen rastet e para të virusit vdekjeprurës Marburg në Gana, i ngjashëm me Ebolën

Më herët gjatë muajit, mostrat e gjakut të marra nga dy persona në rajonin jugor të Ashantit sugjeruan se ata kishin virusin Marburg.

18 Korrik 2022, 12:36 Nga d.a.
Raportohen rastet e para të virusit vdekjeprurës Marburg në Gana,
virusi Marburg

GANA- Dy raste të virusit vdekjeprurës Marburg janë identifikuar në Ganë, hera e parë që sëmundja e ngjashme me Ebola është gjetur në kombin e Afrikës Perëndimore. Më herët gjatë muajit, mostrat e gjakut të marra nga dy persona në rajonin jugor të Ashantit sugjeruan se ata kishin virusin Marburg.

Sipas Guardian, mostrat u dërguan në Institutin Pasteur në Senegal, i cili konfirmoi diagnozën, tha Shërbimi Shëndetësor i Ganës (GHS).

"Kjo është hera e parë që Gana ka konfirmuar sëmundjen e virusit Marburg," tha kreu i GHS, Patrick Kuma-Aboagye.

Nuk ekziston asnjë trajtim apo vaksinë për Marburg, i cili është pothuajse aq vdekjeprurës sa Ebola. Simptomat e tij përfshijnë temperaturë të lartë si dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme. Nëntëdhjetë e tetë persona të identifikuar si raste kontakti ishin nën karantinë, tha deklarata e GHS, duke theksuar se asnjë rast tjetër i Marburgut nuk ishte zbuluar ende në Ganë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli shpërthimin e parë të Ganës. OBSH tha se Guinea kishte konfirmuar një rast të vetëm në një shpërthim të shpallur në shtator 2021. Sipas OBSH-së, shpërthime të mëparshme dhe raste sporadike të Marburgut në Afrikë janë raportuar në Angola, Republikën Demokratike të Kongos, Kenia, Afrikën e Jugut dhe Ugandë. Virusi Marburg mund të përhapet nga kafshët e infektuara, përfshirë lakuriqët e natës.

“Prandaj publiku këshillohet të shmangë shpellat e banuara nga kolonitë e lakuriqëve të natës dhe të gatuajë tërësisht të gjitha produktet e mishit përpara konsumimit”, këshilluan autoritetet shëndetësore ganeze.

Për më tepër, kushdo që identifikohet se ka qenë në kontakt me të sëmurët, përfshirë stafin mjekësor, duhet të izolohet. Sëmundja virale i godet papritmas të sëmurët, me temperaturë të lartë dhe dhimbje koke të forta. Sipas OBSH-së, shkalla e vdekshmërisë në rastet e konfirmuara varion nga 24% në 88% në shpërthimet e mëparshme, në varësi të llojit të virusit dhe menaxhimit të rasteve.

virusi marburg patrick kuma-aboagye

Sondazh

Poll