Aktualitet

Vrasja e vëllezërve Bilali/ Gjykata refuzon për herë të tretë lirimin e Arsen Stojkut

Por Stojku, pretendon se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit dhe se tashmë Gjykata e Shkodrës, duhet të dilte me një vendim përfundimtar. 

17 Korrik 2022, 17:08 Nga k.m.
Vrasja e vëllezërve Bilali/ Gjykata refuzon për herë të
Arsen Stojku

SHKODËR- Arsen Stojku, një prej emrave të akuzuar nga prokuroria e Shkodrës si autori i vrasjes së dyfishtë të vëllezërve, Brahim dhe Astrit Bilali në 30 Mars 2019, ka humbur betejën e tretë ligjore për të fituar lirinë. Gazetari Elton Qyno për “Ora News” shkruan se Stojku akuzohet nga Prokuroria e Shkodrës, për “Vrasje në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”, krim ky që parashikon një dënim nga 35 vite në burgim të përjetshëm.

Por Stojku, pretendon se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit dhe se tashmë Gjykata e Shkodrës, duhet të dilte me një vendim përfundimtar. Duke qenë se vendimi për të duhet të ishte marrë që më prill, ai ka kërkuar ndyshimin e masës së sigurisë nga burgu, në “arrest shtëpie”. Kërkesa e tij është gjykuar ditën e martë në gjykatën e Shkodrës, dhe pas analizimit të çështjes treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Hasan Selimi, ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e të këtij të arrestuari, për shkaqe proceduriale.

Sipas trupit Gjykues, kërkesa ishte e paplotësuar, pasi mungonin kopjet e vendimeve të Gjykatës së Lartë, që avokati mbrojtës i Arsen Stojkut, i ishte referuar si praktikë ligjore që sjell shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.

I riu i arrestuar që prej muajit Prill 2019 në Shkodër, nuk e ka pranuar në asnjë moment autorësinë e vrasjes së vëllezërve Bilali. Ai ka treguar para gjykatës së është i pafajshëm dhe po mbahet në burg jashtë çdo afati paraburgimi që parashikon ligji. Ndërsa Stojku pretendon se po mbahet në burg vetëm për shkak se është djali i tezes së Mustafa, Sokol dhe të ndjerit Fatbardh Licit në Shkodër.

Stojku, ditën e arrestimit ka pranuar në polici se para vrasjes dhe pas vrasjes së Bilalëve, kishte qenë disa herë në shtëpinë e Mustafa Licit, ku është takuar me anëtarë të familjes Lici. Vizita ka ndodhur 10 ditë para vrasjes së dy vëllezërve dhe transportues i Stojkut, ka qënë i arrestuari tjetër Myslim Rama. Vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilalit, u krye në 30 Mars 2019 në derën e shtëpisë së tyre në Shkodër, dhe kjo ngjarje sipas policisë së qytetit lidhet me motivin e përplasjes së hasmërive mes grupeve kriminale.

arsen stojku vrasja e vellezerve bilali

Sondazh

Poll