Aktualitet

“Milionere me stomakun bosh”/ Klodiana Lala: Mos e harroni kurrë Meritën, është fytyra e shtetit që ka rënë!

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Lala shkruan se janë miliona të vjedhura me duart e Meritës e të ngjashmëve të saj, por ende askush nuk mban përgjegjësi.

13 Korrik 2022, 16:49 Nga k.m.
“Milionere me stomakun bosh”/ Klodiana Lala: Mos e harroni
Merita Hajdari dhe Klodiana Lala

TIRANË- Ditën e djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, shkoi edhe Merita Hajdari, e cila prej vitesh mbledh kanaçe për të siguruar jetesën. Por, sipas LSI-së, pas falsifikimit të firmës, ajo rezulton pronare e një firme fiktive e përdorur për skemën e evazionit fiskal prej 189 mln eurosh.

Në lidhje me këtë ka bërë një reagim gazetarja Klodiana Lala, e cila shkruan se kjo është “fytyra e shtetit”, duke kërkuar vendosjen në vend të drejtësisë. Në postimin e saj në rrjetet sociale, Lala shkruan se janë miliona të vjedhura me duart e Meritës e të ngjashmëve të saj, por ende askush nuk mban përgjegjësi.

Mos e harroni kurrë fytyrën e Meritës, gruas që siguron bukën e gojës duke shitur kanaçe. Është fytyra e shtetit. Milionere me letra, por me stomakun bosh. Ka rënë shteti! Miliona të vjedhura me duart e Meritës e të ngjashmëve të saj, por inceneratorët nuk punojnë. Askush nuk mban përgjegjësi! Me gjasë askush s'do ndëshkohet. Populli harron lehtë, siç ka harruar ndër vite skandale e tragjedi,”-shkruan Klodiana Lala.

Si nisi skandali me evazionin fiskal?

Ishte kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ajo që denoncoi 24 kompani të cilat sipas saj kanë kryer miliona euro evazion fiskal përmes faturave fiktive. Kryemadhi tha se një prej kompanive që në librat e blerjes shihej se furnizohej me fruta, në librin e shitjes faturonte hekur e beton. Për të humbur gjurmët sipas Kryemadhit këto kompani shiteshin tek persona që s’kishin lidhje me to. Një prej tyre ishte edhe rasti i dy të moshuarve Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi.

merita hajdari klodiana lala skandali me evazionin fiskal

Sondazh

Poll