Politike

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, presidenti Meta dekreton 2 ligjet

Presidenti Ilir Meta thekson se Shqipëria ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e këtyre dy vendeve, dhe është pranë tyre.

10 Korrik 2022, 11:25 Nga k.m.
Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, presidenti
Ilir Meta

TIRANË- Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar protokollin për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut të Finlandës dhe Suedisë. Në dekretin e tij, presidenti Meta thekson se Shqipëria ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e këtyre dy vendeve, dhe është pranë tyre. Sipas Metës, anëtarësimi i këtyre dy vendeve është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria.

NJOFTIMI I PRESIDENCËS:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjet si vijon: - Ligj nr. 56/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës”; dhe - Ligj nr. 57/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.

Republika e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e Republikës së Finalndës dhe të Mbretërisë së Suedisë në NATO. Anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria.

Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë. Së bashku qëndrojmë më të fortë!

ilir meta

Sondazh

Poll