Aktualitet

Para për...një varr! Burg për drejtorin dhe 3 të tjerë, zbardhen PËRGJIMET: Na ndihmo me 700 €!

Ditën e sotme, Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg 4 prej tyre, ndërsa për 3 ka vendosur "arrest shtëpie", e për një është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje".

8 Korrik 2022, 19:10 Nga k.m.
Para për...një varr! Burg për drejtorin dhe 3 të tjerë,
Eljodor Ndini

TIRANË- Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në bashkinë Tiranë, Eljodor Ndini është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, së bashku me 3 punonjës të tjerë të varrezave të Tufinës, pasi u vunë në pranga pak ditë më parë pas publikimit të skandalit me shitjen e varreve. Ditën e sotme, Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg 4 prej tyre, ndërsa për 3 ka vendosur "arrest shtëpie", e për një është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje".

Në burg janë lënë: - Eliodor Ndini (në burg), 32 vjeç, me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”; - Gazment Daja (ne burg), 49 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike"; - Alban Ajazi (në burg), 28 vjeç, për veprat penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike"; dhe - Latif Shehu (ne burg), 63 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës".

Ndërsa me masën e sigurisë "në shtëpi" janë dërguar: - Bujar Lica (arrest në shtëpi), 66 vjeç, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; - Endrin Milla (arrest në shtëpi), 37 vjeç, për "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Korrupsion aktiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike"; - Fatjon Gjonaj (arrest në shtëpi), 24 vjeç, për veprën penale "Ndërtimi i paligjshëm". Ndryshe nga të tjerër, për Xhemal Mena , 61 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” është vendosur(detyrim paraqitje. Ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit Roza Ndoj, 44 vjeçe dhe Julian Çuka, 31 vjeç, për veprën penale 'Shpërdorimi i detyrës'.

Por gjithashtu sot janë zbuluar edhe detaje nga përgjimet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin pa u ruajtur për të siguruar varre, leje në Bashki por edhe ndihmë për kredi të buta. Një prej rasteve është kallëzuar nga një e moshuar, 81-vjeçarja Mediha Sula, e cila u detyruara të blinte vendin e varrit për vete dhe bashkëshortin e saj, kundrejt shumës prej 500 mijë lekësh të vjetra me kursimet dhe shpërblimin e festave të fundvitit. Por nuk i mori kurrë, pasi nuk e mbajtën premtimin. Edhe pse i thanë që për vendosjen e tyre do të ndodhte zhvarrosja e personave që qenë varrosur aty më herët, sërish premtimin nuk e mbajtën deri në fund. 

Po ashtu, janë zbardhur biseda të tjera nga ku Ndini jep instruksionet për ekipin e tij, madje dhe u kërkon që të bëjnë para, e nuk mungojnë as bisedat për kredi të buta. Punonjësi i Sektorit të Varrezave Tufinë, Gazment Daja kërkon lekët nga A. M. për t’ia dhënë drejtorit, ndërsa Ndini flet me një "Albani Tufinë", i cili është vënë në dijeni për një gropë varri të hapur nga inxhinieri dhe ka marrë lekë për këtë gropë varri. E gjitha kjo, në mënyrë që të përfitonin 30-50 mijë lekë të reja për t'u siguruar atyre që ndërronin jetë një vend ku do të preheshin përgjithmonë. 

varrezat në tufinë eljodor ndini

Sondazh

Poll