Bota

Rezoluta e BE-së kërkon njohje të ndërsjellë, kryeministraja serbe: S’e kam të qartë, topi është në fushën e Brukselit

Sipas mediave serbe, Brnabiq, ka thënë se dokumenti s’i përket Komisionit Evropian, pasi Komisioni thotë një gjë, kurse Parlamenti Evropian thotë një tjetër.

7 Korrik 2022, 16:55 Nga e.k
Rezoluta e BE-së kërkon njohje të ndërsjellë,
Ana Brnabiç

BEOGRAD- Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, thotë se nuk e ka të qartë rezolutën e Parlamentit Evropian, i cili u miratua dje ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke.

Sipas mediave serbe, Brnabiq, ka thënë se dokumenti s’i përket Komisionit Evropian, pasi Komisioni thotë një gjë, kurse Parlamenti Evropian thotë një tjetër.

“Komisioni Evropian në dokumentin e tij zyrtar, qëndrimin negociator për kapitullin 35, që në rastin tonë ka të bëjë me Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, nuk përmend asnjë fjalë njohjeje, por thotë normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Prishtinën. “, tha Brnabiç.

Ajo shtoi se për sa i përket asaj, “topi” është në fushën e Brukselit.

“Dhe është thjesht domethënëse, e rëndësishme, interesante për mua… të shoh se si do ta ndryshojnë saktësisht qëndrimin negociues kur ju keni pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin të ashtuquajturën Republikën e Kosovës. Dhe si atëherë na kërkojnë neve të bëjmë diçka që nuk e respektojnë të gjitha shtetet anëtare të BE-së?” ka thënë Bërnabiç.

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”. Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet. Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Sondazh

Poll